Saviqeviqi: Nuk pres që lojtarët serbë të reagojnë ndaj himnit të Kosovës
Presidenti i Federatës Malazeze të Futbollit, Dejan Saviqeviq, ka thënë se ndeshja kualifikuese për Evropianin 2020, ku Mali i Zi do ta presë Kosovën në Podgoricë, do të jetë si të gjitha ndeshjet e tjera. “Pres që të gjithë të sillen sikurse edhe ndaj himneve të tjerë. Nuk ka aty ndonjë sjellje speciale, është një ndeshje sikurse të gjitha të tjerat”, ka thënë Saviqeviqi për “Tanjugun” dhe gazetën vjeneze “Prese” në Vjenë, ndaj spekulimeve se gjatë intonimit të himnit të Republikës së Kosovës do të mund të reagonin përfaqësuesit me prejardhje serbe të Malit të Zi.
Ai ka shtuar se si president i Federatës dhe përzgjedhësi Lubisha Tumbakoviq do të provojnë që ajo ndeshje të mos ketë asnjë rëndësi speciale në raport me të tjerat. “Do të luajmë si është më së miri, të provojmë të fitojmë tri pikë dhe t’i mbajmë shanset për vend të dytë në grup”, ka thënë më tej Saviqeviqi. Ai ka thënë se puna më e vështirë për lojtarët dhe stafin profesional do të jetë përgatitja e lojës dhe motivimi i lojtarëve.
Ndeshja luhet më 7 qershor në Podgoricë në stadium të zbrazët pasi që Komisioni Disiplinor i UEFA-s e dënoi Federatën Malazeze të Futbollit me një ndeshje lojë pa shikues për shkak të incidenteve në ndeshjen kualifikuese me Anglinë. Saviqeviqi mendon se ndëshkimi është shumë i lartë dhe se Mali i Zi nuk e ka merituar atë pasi që vendi i tij, siç thotë ai, nuk është shtet racist. “Por ndodhi që një grupi vogël prej shtatë-tetë personave të bëjë atë që nuk është dashur dhe ne morën ndëshkim drastik të cilin nuk e kemi merituar dhe të cilin do të duhet ta shpaguajmë ndaj Kosovës. Kemi bërë ankesë, por nuk jam i sigurt nëse do të miratohet”, deklaroi Saviqeviqi.
Në këtë kuptim ai ka shtuar se ndeshja do të jetë e vështirë në aspektin sportiv, por që në çështjen organizative do të ketë më pak punë si pasojë e mungesës së tifozëve.