SBAShK-u apel MAShT-it dhe DKA-ve: Lërini përpjekjet e kota për ta thyer grevën
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) përmes një komunikate për media i ka bërë apel Ministrisë së Arsimit, Drejtorive Komunale të Arsimit dhe Drejtorive Komunale që t’i lënë përpjekjet e kota për të tentuar që të thyhet greva në arsim.
“Grevistët janë këmbëngulës të qëndrojnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre në të gjitha rrethanat, përndryshe e detyron SBAShK-un të zbaton pikën 3.1 të nenit 10 të Ligjit për greva që mundëson që të punësuarit të mos paraqiten fare në vendin e tyre të punës”, është thënë në reagimin e SBAShK-ut.
SBAShK-u i është drejtuar MAShT-it, DKA-ve dhe drejtorëve të institucioneve arsimore që sa më shpejt të realizojnë kërkesat e tyre që mos të humben orë mësimore pasi në sektorët tjerë ditët e grevës nuk zëvendësohen.
“Duke u bazuar në të dhënat e mëparshme i drejtohemi institucioneve të gjejnë kurajë për ngritjen e koeficienteve për 30 për qind nga punëtorët tekniko-ndihmës e deri te rektori ose nga çerdhet deri te universitetet apo varianti tjetër më i mirë i mundshëm duke pasur parasysh se ky ligj ka shumë mangësi për të punësuarit në sektorët publik me kualifikim të njëjtë dhe për punë të ngjashme të tërhiqet ky ligj në mënyrë që të ulen bashkërisht institucionet me punëtorë dhe të bëjnë një ligj i ri, ku të gjithë sektorët do të jenë të ranguar në vendin e tyre meritorë”, është theksuar në reagimin e SBAShK-ut.
/Epoka e re/