SBASHK-u, Bahtirit: Për presionin mbi grevistët do të përballesh me gjykatën
SBASHK-u ka reaguar ndaj një postimi te kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit, lidhur me grevën e tyre.
Sindikata e ka quajtur këtë mendim të Bahtritit të pamatur dhe papjekur si dhe kanë paralajmëruar padi ndaj tij.
“Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, pasi ka kryer gjithë punët në komunën e tij dhe ka “përmbushur” premtimet e dhëna i doli kohë të postojë një ide të marrë e të papjekur duke u mundur që më kërcënime të bëj presion mbi punëtorët grevistë të arsimit. Deklaratë në stilin e një despoti duke harruar se Kosova është vend demokratik dhe se grevistët i mbron ligji i grevave i Kosovës, ndërsa edhe mundëson që këdo që bën presione ndaj grevistëve ta përball me drejtësinë”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.
“Agim ti për tendencën që të bësh presion në grevistët do të përballesh me gjykatën dhe ruaju se mund të përballesh edhe me mllefin e grevistëve. Agim as ti e as kushdo tjetër nuk mund t’i frikësoj punëtorët e tërë sektorit të arsimit . Ata janë duke kërkuar që të realizohen kërkesat e tyre, që edhe nga institucionet e shtetit janë vlerësuar të drejta e legjitime. Agim para se të lëshohen deklarata lidhur me grevën ka qenë mirë ta lexosh ligjin për grevat e veçmas nenet 10 e 13”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.