SBAShK-u dërgon për pushime në Shqipëri 452 punonjës të arsimit
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (ShBAShK) ka bërë me dije se ka dërguar 452 anëtarë të saj për pushime në bregdetin shqiptar.
Nga SBAShK-u është thënë se pasi kanë analizuar mundësitë buxhetore organet udhëheqëse të kësaj sindikate, kanë ardhur në përfundim se këtë vit në këtë aktivitet do të përfshihen 452 pushues që janë përzgjedhur nga shoqatat sindikale arsimore e të kulturës dhe njësive akademike nga e tërë Kosova.
Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje i SBAShK-ut:
Duke vlerësuar lart angazhimin dhe përkushtimin e punëtorëve arsimor në këtë vit mësimor plot sfida e vështirësi të krijuara nga pandemia, SBAShK vazhdon me traditën e organizimit të pushimit në bregdetin shqiptar për një numër të konsideruar të anëtarëve të vet nga e tërë Kosova.
Pasi kanë analizuar mundësitë buxhetore organet udhëheqëse të SBAShK-ut kanë ardhur në përfundim se këtë vit në këtë aktivitet do të përfshihen 452 pushues që janë përzgjedhur nga shoqatat sindikale arsimore e të kulturës dhe njësive akademike nga e tërë Kosova.
Këtë traditë e ka nisur të dielën e 20 qershorit grupi i parë prej 78 pushuesve , e në të cilin janë përzgjedhur anëtarët e SBAShK-ut që kanë kryer obligimet në procesin mësimor, ndërsa më 27 qershor do të shkojnë në pushimin e organizuar e të merituar 245 pushues të tjerë nga komuna të ndryshme të Kosovës. Ky aktivitet rekreativ do të vazhdojë më 4 korrik me grupin e fundit prej 129 pushuesve.
Përveç për pushim e rekreacion ky aktivitet do të shfrytëzohet edhe për aktivitete sindikale e organizim dhe për organizimin e tryezave të debatit lidhur me përgatitjen e Planit strategjik të angazhimit të SBAShK-ut në vitet në vijim.
Duke e ditur se edhe Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Arsimore kanë respekt për punën e përkushtuar të punëtorëve të arsimit do ta përgëzojnë SBAShK-un për këtë aktivitet të qëlluar dhe nuk do të krijojnë ndonjë pengesë eventuale ndaj të përzgjedhurve për këto pushime.