SBAShK-u: Greva do të vazhdojë, mos na bëni presion
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë me dije do të vazhdojë greva në tërë sistemin arsimorë derisa institucionet e shtetit nuk përmbushin kërkesën për ngritjen e koeficienteve në Projektligjin e pagave për 30 për qind, për të gjithë të punësuarit në arsimin e Kosovës.
Kjo sindikatë ka ftuar institucionet qendrore e lokale që të shtojnë angazhimet për të përmbushur kërkesën e tyre.
SBAShK-u ka kërkuar ndaljen e presionit ndaj grevistëve, meqë sipas kësaj sindikate, punëtorët e arsimit nuk mund t’i largojë askush nga e drejta e tyre e garantuar me ligj.
“Po ashtu i kujtojmë ata që të heqin dorë nga idetë për të bërë presione ndaj grevistëve sepse do të përballen me ligjin e drejtësinë ngase greva jonë është legjitime dhe këtë të drejtë e mbron edhe ligji mbi grevat dhe konventat ndërkombëtare. Punëtorët e arsimit nuk ka mundur t’i frikësojë e t’i largojë nga misioni i tyre i shenjtë as pushtuesi serb me gjithë atë dhunë në vitet e 90-ta. Punëtorët e arsimit nuk mund t’i largojë as sot e gjithë ditën askush nga e drejta e tyre e garantuar me ligj për të shprehur kundërshtimin e tyre përmes grevës legale ndaj ligjit diskriminues e degradues të pagave. Ne nuk po kërkojmë as me shumë e as më pak se të tjetër dhe prandaj do të qëndrojmë të palëkundur në angazhimet dhe përpjekjet tona për të realizuar kërkesën e drejtë për ngritje se paku për 30 për qind të koeficienteve për të punësuarit në tërë sistemin arsimor”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.
/Epoka e re/