SBAShK-u i vendosur që orët e humbura gjatë grevës mos të zëvendësohen
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) në takimin e me kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar në mënyrë unanime ka vendosur që orët e humbura gjatë grevës mos të zëvendësohen as të shtunave, as gjatë pushimit pranveror e as në fund vitit.
“Pavarësisht që vendimi i gjykatës mund të vonohet me vite, kjo vendosmëri e udhëheqësve sindikal dhe kryesisë së SBAShK-ut qëndron në bindjen e tyre se asnjë dokument juridik nuk na obligon mbajtjen e orëve të humbura gjatë grevës e aq më tepër ku secili mësimdhënës në kontratën individuale të punës ka për obligim ti mbajë 20 orë mësimore në javë e këto 20 orë mësimore të realizohen nga e hëna deri të premten”, është thënë në komunikatën për medie të SBAShK-ut.
SBAShK-u i ka bërë apel ministrit Bytyqi, që ta tërheq vendimin për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, sepse ky vendim e ka çrregulluar procesin mësimor edhe gjatë ditëve tjera të punës.
“SBAShK-u i siguron mësimdhënësit se do të jetë i vendosur që të drejtën e tyre për mos kompensimin e orëve mësimore gjatë grevës do ta mbrojë deri në fund dhe se kërcënimet që do t’ju ndalen mëditjet nëse nuk punohet të shtunën nuk kanë asnjë bazë ligjore por janë vetëm kërcënime për të tentuar që përmes frikës t’i detyrojnë mësimdhënësit të punojnë”, është theksuar në këtë komunikatë.
/Epoka e re/