SBAShK-u i vendosur ta vazhdojë grevën deri në përmbushjen e kërkesës
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) përmes një komunikate për media ka bërë me dije se këshillat grevistë komunal, ai i Universiteteve të Kosovës dhe Këshilli Qendror Grevist kanë analizuar dy javët e grevës së përgjithshme në tërë sektorin e arsimit.
Në këtë komunikatë SBAShK-u ka theksuar se ka vendosmëri për vazhdimin e grevës deri në përmbushjen e kërkesës së tyre.
“Kjo grevë ka treguar unitetin e SBAShK-ut dhe përcjell porosinë e gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit, nga çerdhet e deri në universitete, që të vazhdohet me grevën deri në realizimin e kërkesës së drejtë e legjitime të anëtarësisë për ngritjen e gjithë koeficienteve në sektorin e arsimit për së paku 30% apo për tërheqjen e projektligjit të pagave diskriminues e nënçmues për sektorin e arsimit, me qëllim që ai të punohet rishtazi me kokat e ftohta e me praninë e sindikatave dhe institucioneve. SBAShK këshillon individët që ta ruajnë personalitetin e tyre e të mos provojnë që me lajme të rreme të krijojnë huti mes grevistëve”.
“U munduan që me lajme të rreme të na nxjerrin se po takohemi fshehtazi me atë apo këtë dhe doli se është gënjeshtër. U munduan të na nxjerrin se jemi atje apo diku tjetër dhe doli gënjeshtër. SBAShK-u ishte dhe mbetet i Republikës së Kosovës dhe i gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit. SBAShK i tha jo Serbisë dhe mbrojti arsimin shqip në vitet më të vështira. SBAShK-u është i punëtorëve të arsimit në çerdhe, arsimin fillor e të mesëm dhe universitete. SBAShK-u nuk ka qenë e nuk do të jetë kurrë dorë e zgjatur e individëve a ndonjë subjekti politik. SBAShK-u ka respektuar dhe respekton institucionet e Kosovës, cilat do subjekte politike që i udhëheqin ato sepse SBAShK-u në vitet e vështira të okupimit bëri angazhime sublime që të kemi institucionet tona”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.
/Epoka e re/