SBAShK-u informon ministrin e MAP-it për kundërshtimet lidhur me Projektligjin për pagat
Një delegacion i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) në një takim me ministrin e Administratës Publike (MAP), Mahir Jagcilar, ka ripërsëritur se kjo sindikatë do të angazhohet që me dialog të përmirësohen lëshimet në Projektligjin për pagat.
Kjo sindikatë nuk ka përjashtuar as masat dhe veprimet sindikale nëse pala tjetër nuk reflekton si duhet në raport me këtë projektligj.
Ministri i MAP-it, Mahir Jagcilar, i ka thënë delegacionit të SBASHK-ut se jo vetëm Projektligji për pagat, por edhe dy projektligjet të tjera ende janë në diskutim publik dhe se janë duke u zhvilluar takime e debate me palët e interesuara për të dëgjuar edhe qëndrimet e tyre konkrete.
Ndërsa, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ia ka kujtuar ministrit Jagcilar se edhe në kohën e Qeverisë Mustafa, kjo sindikatë e ka kundërshtuar Projektligjin për paga.
Sipas tij ky projektligj është nënçmues dhe degradues për të punësuarit në sektorin e arsimit, pasi sipas tij radhiten tepër të ulët në tabelën e rangimit të profesioneve në bazë të koeficienteve.
Ai ka theksuar se pas reagimit të fuqishëm të SBAShK-ut Projektligji nuk ishte dërguar në Kuvend dhe se kishte filluar dialogu për ndryshime meritor.
“SBASHK-u ka shprehur kundërshtimin dhe reagimin e arsyeshëm në takim me Ministrin Jagcilar sepse edhe në versionin e tanishëm të Projektligjit për paga, i cili vazhdon të jetë në diskutim publik, punëtorët e arsimit të Kosovës prapë janë radhitur në pozitë tepër të ulët, gjegjësisht në pozitë jo meritore”, ka thënë Jasharaj.
/Epoka e re/