SBAShK-u kërkon që koeficienti i pagave të rritet për 30 për qind
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka njoftuar se ka mbajtur takim me kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar dhe kryetarin e SUShK-ut.
Kryetari Rrahman Jasharaj, ka informuar pjesëmarrësit për aktivitetet e fundit dhe që është vendosur për formimin e një komisioni për hartimin e Draft-kontratës kolektive të arsimit të Kosovës, e cila pritet të përfundojë brenda një jave dhe të dërgohet për diskutim publik e pastaj të bëjë draftin final për ta dorëzuar në MAShTI.
Më tutje është bërë me dije se është vendosur unanimisht që SBAShK-u të nisë një iniciativë qytetare për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, duke synuar mbledhjen e mbi 10 mijë nënshkrimeve për ta dorëzuar në Parlament për procedurat gjegjëse dhe për ndryshimet, duke kthyer pikën 6 të nenit 8 të Ligjit bazik.
Nga takimi ka dalë edhe kërkesa që t’i drejtohet MAShTI-t dhe qeverisë për ngritje të vlerës së koeficientit të pagave prej së paku 30 për qind me rishikim të buxhetit të vitit 2024 ose me vendim të qeverisë, por kjo ngritje të fillojë së zbatuari me pagën e muajit shtator 2024.
“Pjesëmarrësit në këtë takim shprehën brengosje të thellë për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e pagave, sidomos për pagesën e përvojës së punës në 15-vjetëshin e parë, por ende të paguhen me 0.25 për qind, edhe pse Kushtetuesja ka konstatuar që kjo është shkelje kushtetuese dhe me këtë që nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave, të punësuarit dëmtohen me rreth 4 për qind të pagës”.
“Kërkojmë nga qeveria që këtë vendim të fillojë ta implementojë në mënyrë retroaktive nga hyrja në fuqi e Ligjit të pagave”, ka njoftuar SBAShK-u.