SBAShK-u mban takime të ndara me PDK-në dhe AAK-në, kjo është arsyeja
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka zhvilluar takime të ndara me shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së.
Përfaqësuesit e SBAShK-ut kanë kërkuar në këto takime që deputetët e këtyre dy subjekteve politike ta mbështesin nismën legjislative duke e votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, siç është thënë, “të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08L- 248”.
“Me qëllim që të informojë shefat e Grupeve Parlamentare lidhur me nismën legjislative nga qytetarët për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08L- 248 dhe për të kërkuar mbështetjen e të gjithë deputetëve nga këto subjekte politike, pas takimit me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dhe me shefen e grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë pasur takime të ndara edhe me shefin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri dhe me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri”.
“Edhe në këto dy takime të ndara kryetari i SBAShK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me nënkryetaren Vjollca Shala, koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri e zyrtarin ligjor Blendor Shatri, kanë informuar shefat e grupeve parlamentare të AAK-së, Besnik Tahiri dhe Abelard Tahiri lidhur me arsyen e kësaj nisme legjislative me qytetarë, për angazhimet e deritashme dhe për aktivitetet që do të bëhen deri te momenti i dorëzimit të mijëra nënshkrimeve në mënyrë solemne te kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, që do të bëhet në fillim të javës së ardhme”.
“Shefat e këtyre dy grupeve parlamentare kanë përgëzuar SBAShK-un për këtë aktivitet dhe janë shprehur të bindur se deputetët e Parlamentit të Kosovës do ta mbështesin dhe do ta votojnë këtë projektligj, që është nismë legjislative nga qytetarët”, ka njoftuar SBAShK-u.