SBAShK-u me veprime konkrete kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK) ka dalë kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë.
Sipas SBAShK-ut, ky vendim i kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati është i ngutshëm dhe i pa analizuar fare dhe se do të sillte komplikime e përplasje. “Kuvendi i Sindikatave të Arsimit Fillor e të Mesëm të Kamenicës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme duke marrë qëndrim unanim për hapa konkret në kundërshtim të mbylljes së shkollave në këtë komunë”, është thënë në njoftimin e SBAShK-ut.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, bashkë me udhëheqës të tjerë të nivelit qendror, të cilët kanë përsëritur kundërshtimin ndaj idesë për mbylljen e shkollave në këtë komunë, duke konsideruar se ky veprim është i ngutshëm, i pa analizuar mirë dhe se do të sillte komplikime e përplasje.
Në takimin e jashtëzakonshëm Kuvendi i Sindikatave të Arsimit Fillor e të Mesëm të Kamenicës, në mbështetje të SBAShK-ut në nivel vendi mori vendim për hapur konkret të reagimit kundër mbylljes së shkollave në këtë komunë.
SBAShK-u ka ftuar mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit që ta kundërshtojnë mbylljen e shkollave dhe që në ditën e parë të mësimit, më 2 shtator, të jenë secili në shkollën e tij për të nisur vitin shkollor. “Nëse kryetari Kastrati vazhdon me angazhimet për ta vënë në jetë idenë e mbylljes së shkollave, atëherë në ditën e dytë të mësimit, më 3 shtator, i tërë sistemi arsimor në Kamenicë do të shkojë në grevë dyorëshe. Në ditën e tretë mësimi do të vazhdojë në të gjitha shkollat e Kamenicës dhe do të kërkohet nga kryetari Kastrati të brenda një jave të deklarohet se heq dorë nga ideja për mbyllje të shkollave. Nëse ai nuk e bën këtë veprim, atëherë të gjitha shkollat e Kamenicës do të shkojnë në grevë në kohë të pacaktuar dhe me këtë veprim legjitim sindikal do të solidarizohen edhe punëtorët e arsimit nga e tërë Kosova me hapa konkret sindikal për të cilët do të vendos Këshilli Drejtues i SBAShK-ut bashkë me kryetarët e niveleve komunale e të Universiteteve”, është thënë ndër të tjera në njoftimin e SBAShK-ut.
SBAShK-u i është drejtuar MASHT-it dhe institucioneve të tjera të Kosovës dhe asamblistëve te Kamenicës që të kërkojnë nga kryetari që të heq dorë nga kjo ide e ngutshme.