SBAShK-u, mësimdhënëseve: Mos nënshkruani ndryshimet e kontratës së punës
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka reaguar pasi kohëve të fundit është duke qarkulluar një version i kontratës së punës për punëtorët e sektorit të arsimit, ku ka bërë thirrje që të mos nënshkruhet pasi konsiderohet e dëmshme.
SBAShK-u ka thënë se kontrata është e dëmshme dhe me keqe se kontrata aktuale.
“Ky version, që po qarkullon, bie në kundërshtim edhe me Udhëzimin administrativ të MASHT-it, nr. 10/2015 për Kontratën e punës për mësimdhënës të arsimit parauniversitar. Ky version i shpërndarë ka shumë të meta dhe është i dëmshëm për punëtorët e arsimit ngase cenon të drejtat e fituara e po ashtu nuk specifikon normën javore mësimore prej 20 orë dhe nuk është specifikuar as pjesa e orëve të tjera që janë për përgatitje për mësim dhe për veprimtari të tjera arsimore. Versioni i ri ka edhe të meta të tjera e të cilat jemi të gatshëm t’ua prezantojmë në takim Kolegjiumit të drejtorëve të arsimit”.
“SBAShK-u i drejtohet anëtarësisë, që kanë kontrata pune në kohë të pacaktuar, me apelin që të mos e nënshkruajnë versionin e ri të Kontratës së punës, ngase ata kanë kontrata të punës në kohë të pacaktuar dhe nuk ju duhet gjë një Kontratë e re, e cila në vend që të shtojë ndonjë të drejtë, krijon mëdyshje, mjegull dhe ka tendencë të mohimit të të drejtave legjitime e të fituara me kohë”, është thënë në reagimin e SBAShK-ut.