SBAShK-u nis përgatitjet për protestën e 4 dhjetorit
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBAShK) ka njoftuar se nga 4 dhjetori do të nisin veprimet sindikale, duke paralajmëruar kështu protestë.
Kjo sindikatë ka bërë me dije se tashmë kanë nisur takimet konsultative me përfaqësues të këshillave të prindërve, duke filluar me Prishtinën.
Sipas SBAShK-ut edhe prindërit janë informuar lidhur me situatën në arsim dhe për veprimet sindikale që do të ndërmerren.
“Përfaqësuesit e SBAShK-ut kanë informuar Këshillin e Prindërve për situatën në arsim dhe për vendimin që në mungesë të gatishmërisë për dialog të qeverisë të fillohet me veprime sindikale. Ata kanë thënë se SBAShK-u po bën gjithë angazhimet e mundshme që çështja e Ligjit të Pagave të zgjidhet drejt përmes dialogut dhe takimeve të sindikatave me përfaqësues të qeverisë, në mënyrë që të mos shkohet në grevë dhe prandaj ka ftuar përfaqësuesit e këshillave të prindërve që të jenë bashkë me SBAShK-un në këto angazhime me shpresë se mesazhi i përbashkët do të kuptohet drejt nga qeveria dhe do të nis zgjidhja e drejtë për Ligjin e Pagave. Nëse edhe këto angazhime nuk japin rezultatin e pritur, atëherë do të ndodhin grevat në tërë sistemin arsimor”, ka njoftuar SBAShK-u.