SBAShK-u nuk e përjashton grevën e përgjithshme në shtator

26 qershor 2024 | 11:51

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka njoftuar se janë duke vazhduar takimet me veprimtarët sindikalë për të biseduar rreth grevave të mundshme në shtator.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka përsëritur se sindikata do të vazhdojë me angazhimet që të ketë dialog e të bëhet realizimi i kërkesave legjitime të anëtarësisë.

“…por nëse qeveria vazhdon me qasjen e gabuar ndaj sindikatës dhe dialogut, atëherë do t’i shtrëngojmë radhët dhe do të nisim me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme duke respektuar kështu zërin e vullnetin e anëtarësisë”, citohet të këtë thënë Jasharaj sipas pas komunikatës së SBAShK-ut.

Komunikata e plotë:

SBAShK-u vazhdon takimet me veprimtarë sindikal duke biseduar për grevat

26.06.2024

Pas takimit me veprimtarët sindikal në Pejë e Gjakovë, ky aktivitet i mbështetur nga Qendra Amerikane e Solidaritetit, ka vazhduar në Prizren me veprimtarët sindikalë nga ky qytet dhe nga Suhareka, Dragashi, Mamusha e Universiteti i Prizrenit.

Pjesë e këtij aktiviteti sindikal janë edhe përfaqësuesit e Institutit të Kosovës për Drejtësi, z. Naim Jakaj dhe znj. Arrita Rezniqi, të cilët kanë prezantuar doracakun për shpalljen e grevës së ligjshme, që e kanë përgatitur në bashkëpunim me SBASHK-un.

Ashtu si në Pejë e Gjakovë edhe në Prizren nga pjesëmarrësit kanë uruar që qeveria të ndryshojë qasjen dhe të nisë dialogun me mirëfilltë me SBAShK-un e nëse kjo nuk ndodhë, atëherë ata kanë shprehur shqetësimin se anëtarësia do të kërkojë veprime sindindikale duke mos përjashtuar as grevën e përgjithshme në shtator. Edhe në takimin në Prizren, drejtori i Qendrës Amerikane të Solidariterit me seli në Tiranë, z. Steven McCloud ka treguar për angazhimet e qendrës që drejton, duke shtuar se do të vazhdohet me bashkëpunimin për të forcuar edhe më shumë zërin sindikal.

Kryetari i SBAShK-ut z. Rrahman Jasharaj edhe në Prizren ka përgëzuar veprimtarët sindikalë për përkushtimin duke falënderuar z. Seven për gjithë angazhimet në mbështetje të SBAShK-ut e duke kujtuar me krenari miqësinë e krijuar në vitet e vështira për arsimin shqip me Sindikatën e Mësuesve të Amerikës dhe me sindikata simotra nga vende të Evropës e botës.

Jasharaj ka përsëritur se sindikata do të vazhdojë me angazhimet që të ketë dialog e të bëhet realizimi i kërkesave legjitime të anëtarësisë, që u publikuan edhe në protestën e 1 majit, “por nëse qeveria vazhdon me qasjen e gabuar ndaj sindikatës dhe dialogut, atëherë do t’i shtrëngojmë radhët dhe do të nisim me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme duke respektuar kështu zërin e vullnetin e anëtarësisë”.

Bashkëbisedën me veprimtarët sindikalë edhe në Prizren e kanë zhvilluar nënkryetarja e SBAShK- ut, znj. Vjollca Shala, koordinatori për organizim të brendshëm, z. Ymer Ymeri dhe përfaqësuesi i IKD-së, z. Naim Jakaj duke u përgjigjur edhe në pyetjet e pjesëmarrësve të këtij aktiviteti duke e prezantuar edhe përmbajtjen e doracakut për shpalljen e grevës së ligjshme.

Në takimet e veprimtarëve sindikal në Pejë, Gjakovë e Prizren, ishte porosi që të vazhdohet me përpjekjet që të ketë dialog për realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë, por nëse qeveria vazhdon me qasjen e gabuar, atëherë do të shkohet me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në tërë sistemin arsimor të Kosovës.

Takime të tilla për të biseduar për grevat e për ta prezantuar doracakun për shpalljen e grevës së ligjshme do të mbahen edhe me veprimtarë sindikal nga komuna tjera të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Francës, Didier Deschamps pas atij barazimi 1-1 ndaj…