SBAShK-u: Nuk ka kompensim të orëve as në pushimin pranveror

29 mars 2019 | 17:10

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka bërë me dije se Këshilli Drejtues i këtij institucioni ka vendosur që orët e humbura në grevë të mos kompensohen as në pushimin pranveror.

Kështu është bërë me dije në komunikatën e këtij institucioni, ku ka uruar nxënësit për pushimin pranveror.

“SBAShK-u duke i uruar nxënësit për përfundimin e periudhës së dytë mësimore iu dëshiron atyre dhe prindërve momente të bukura të pushimit me urimin që nxënësit dhe mësimdhënësit më 8 prill të rinisin angazhimet në betejat për dituri të reja”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.

SBAShK-u ka theksuar se ky vit ka qenë sfidues për këtë sindikatë dhe mësimdhënësit në përpjekje për të realizuar kërkesat e tyre të drejta. “Ju përgëzojmë për unitetin e treguar, sepse pas grevës kishte edhe tentime që me dezinformata e shpifje të dëmtohej uniteti i SBAShK-ut, por ju treguat vetëdije të lartë dhe ruajtët unitetin dhe figurën e respektuar të mësimdhënësit e sindikalistit”, është thënë në këtë komunikatë.

SBAShK-u u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave, drejtorëve të drejtorive arsimore dhe drejtorëve të shkollave, që të heqin dorë përfundimisht edhe në këtë pushim pranveror nga presionet ndaj mësimdhënësve. “Nuk do të bëni ftesa që mësimdhënësit pa asnjë arsye të paraqiten në vendin e tyre të punës, sepse ne këtë e konsiderojmë si hakmarrje ndaj punëtorëve tuaj”, është theksuar në komunikatën e SBAShK-ut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar lart kontributin…