SBAShK-u paralajmëron grevë për shkak të kërkesës për kompensimin e orëve

25 mars 2019 | 14:25

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) u ka dorëzuar një shkresë kryetarëve të komunave të Kosovës për shkak të kërkesës ndaj drejtorëve të shkollave për kompensimin e orëve të humbura.

SBAShK-u në këtë shkresë ka bërë me dije se është duke e përcjell me kujdes situatën në institucionet arsimore të Kosovës, ku theksohet se një pjesë e Drejtorëve të Arsimit dhe të drejtorëve të shkollave, kanë nisur t’i shtojnë presionet ndaj mësimdhënësve, në përpjekje për të vënë në zbatim vendimin e ministrit Shyqyri Bytyqi për kompensimin e orëve të humbura, i cili vendim sipas SBAShK-ut nuk ka bazë ligjore dhe ndaj tij është ngritur padi në gjykatë.

Në këtë shkresë, SBAShK-u ka theksuar se situata e krijuar duhet të zgjidhet me dialog dhe jo me presione e urdhra, për faktin se sipas tyre me veprime të tilla vetëm sa mund të përkeqësohet situata në arsim.

“Duke parë se javët e fundit është bërë një çrregullim i madh i procesit arsimor në disa Komuna të Kosovë, e këtë çrregullim e ka krijuar vendimi i ministrit Shyqiri Bytyqi për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, SBAShK-u si përfaqësuese i punonjësve të arsimit të komunave tuaja duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin mbi organizimin sindikal nr. 04/L-011, Ligjin mbi grevën nr. 03/L-200 dhe statutin e SBAShK-ut, si dhe kontratën kolektive të arsimit nënshkruar nga MAShT-i dhe SBAShK-u, më 18.04. 2017, ndjejmë për obligim që t’ju drejtohemi me këtë shkresë duke pasur parasysh se të gjithë drejtorët e drejtorive arsimore janë të emëruar nga ju dhe normalisht për punën e tyre duhet t’ju raportojnë juve. Gjithashtu edhe drejtorët e shkollave ishte dashur t’i raportojnë nivelit komunal. Ditëve të fundit një pjesë e tyre kanë ndërmarrë një fushatë të presionit të mësimdhënësve për t’i detyruar që t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës e duke u mbështetur në vendimin e MAShT-it, të cilin vendim SBAShK-u e ka kontestuar dhe e ka dërguar në gjykatë për ta vlerësuar ligjshmërinë e tij sepse ne vlerësojmë me të drejt se është vendim i pa bazuar në Ligj, pasi që asnjë ligj apo dokument juridik valid i Republikës së Kosovës, e as normë ndërkombëtare nuk ekziston që thotë se orët e humbura gjatë grevës duhet zëvendësuar”, thuhet, veç tjerash në këtë shkresë.

SBAShK-u në shkresën zyrtare drejtuar kryetarëve të komunave, thekson se nëse ky presion në disa komuna vazhdon edhe gjatë këtyre ditëve, por edhe gjatë pushimit pranveror, atëherë SBAShK-u mund të shpallë grevë të përgjithshme duke kërkuar tërheqjen e vendimit për zëvendësimin e orëve si dhe përgjegjësinë ndaj atyre që kanë ushtruar presion.

“Kjo grevë mund të prodhojë edhe ditë të tjera të humbura të mësimit, përveç këtyre 15 ditëve që janë humbur gjatë grevës”, është thënë ndër të tjera në shkresën e SBAShK-ut drejtuar kryetarëve të komunave.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe ata të…