SBASHK-u paralajmëron grevë të përgjithshme
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka paralajmëruar grevë të përgjithshme të punëtorëve të arsimit në fillimin e vitit të ri shkollor 2018/2019, nëse nuk ndryshohet renditja e mësimdhënësve në tabelën e Projektligjit për pagat.
Sindikata e quan të papranueshëm dhe ofendues për ta dhe ka kërkuar që Ministria e Administratës Publike, si sponsorizuese e Projektligjit, të mos lejojë që mësimdhënësit të mbesin në renditjen aktuale.
Në Projektligjin për Pagat, i cili është ende në dëgjim publik, mësimdhënësit janë vlerësuar me koeficient 1.95, derisa shumë më lart se ta janë vlerësuar këshilltarët politikë, mjekët, anëtarët e Kuvendit Komunal, e shumë profesionistë të tjerë.
Menaxheri financiar në Sindikatën e Arsimit, Ymer Ymeri, tha për Radio Kosovën se ia kanë shprehur shqetësimet e tyre ministrit të Arsimit dhe ministrit të Administratës Publike.
Ai tha se nëse nuk ndryshon ky rangim, që e quan degradues, do të ndërmerren veprime sindikale, duke mos filluar procesin mësimor në fillim të vitit të ri shkollor.
“Ne kemi dhënë propozimet tona për rangimin e mësimdhënësve në vendin e merituar në tabelën e rangimit të Ligjit për Paga. Ua kemi bërë me dije që nëse eventualisht ky ligj shkon në këtë formë, priten veprime sindikale në shtator, dhe është shumë reale edhe të mos fillojë mësimi fare, nëse nuk merren parasysh qëndrimet e SBASHK-ut, që janë shumë të arsyeshme”, ka deklaruar Ymer Ymeri.
Sindikata ka kërkuar që Ministria e Administratës Publike, si sponsorizuese e projektligjit, të mos lejojë që mësimdhënësit të mbesin në renditjen aktuale. Ymeri tha se ministri Mahir Jagcilar ka shprehur gatishmërinë se këtë çështje do ta diskutojë edhe me kryeministrin, për të realizuar kërkesat e sindikatës.
“Ne kemi kërkuar që mësimdhënësit e mësimit fillor së paku ta kenë koeficientin 2.5, të arsimit të mesëm 2.7, ndërsa të shkollave special 2.6. Kemi kërkuar që mësimdhënësit e arsimit të mesëm të kategorizohen në kategorinë e mjekëve specialistë, ndërsa mësimdhënësit e arsimit fillor të kategorizohen në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm”, tha Ymeri.
Ndërkohë, Projektligji për Pagat është ende në diskutim publik, ku janë duke u zhvilluar takime e debate me palët e interesuara. Në njërën nga këto takime, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcilar, ka thënë se ky projektligj synon të vendosë një sistem të barazisë në paga transparencë dhe vendimmarrje të drejtë për të gjithë sektorin e administratës publike.
“Pa marrë parasysh se ekziston një sistem i centralizuar i realizimit të pagave, sistemi ligjor dhe i procedurave nuk është unik. Tani duhet të bëhet pjesa teknike dhe infrastruktura ligjore, sepse nuk ekziston një bazë ligjore për pagat”, tha ministri Yagcillar.
Sindikata e Arsimit ka bërë të ditur se edhe në kohën e qeverisë Mustafa e ka kundërshtuar këtë projektligj, duke e parë si nënçmues për të punësuarit në sektorin e arsimit, radhitjen tepër të ulët në tabelën e rangimit të profesioneve në bazë të koeficienteve.
Pas reagimit të Sindikatës, projektligji nuk ishte dërguar në Parlament dhe se kishte filluar dialogu për ndryshime. SBASHK në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kishte dhënë propozimet konkrete.
Ndërkohë, edhe në versionin e tanishëm të Projektligjit për Paga, punëtorët e arsimit të Kosovës prapë janë radhitur në pozitë të ulët.