SBAShK-u paralajmëron grevë të përgjithshme më 13 prill
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) përmes një komunikate për media u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të plotësojnë kërkesat e tyre, përndryshe do të ndërmarrin masa për greva të radhës.
“SBAShK-u duke parë se përveç deklaratave të ministrave gjegjës dhe të institucioneve, ende nuk as edhe një veprim konkret. SBAShK-u lëshon këtë alarm me kohë drejtuar Qeverisë, institucioneve dhe opinionit të gjerë që të angazhohen që tani në realizimin e kërkesave të anëtarësisë sonë dhe të mos presin që 13 prilli të na gjejë në këtë situatë, ngase koha po shkon. Le ta dinë të gjithë se kur ka grevë nuk ka mësim, por nuk ka as test PISA”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.
SBAShK-u ka paralajmëruar se nëse nuk ka veprime konkrete të institucioneve as pas grevës njëditore, atëherë do të mbajnë grevë të përgjithshme më 13 prill në kohë të pacaktuar. “Greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të anëtarësisë”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.
Mësimdhënësit përmes këtyre veprimeve sindikale po kërkojnë që të zbatohet marrëveshja e nënshkruar në mes të SBAShK-ut dhe koalicionit qeverisës më 5 qershor të vitit 2017, veçanërisht po kërkojnë që në Kuvend të procedohet projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit për vitet 1990-1999.