SBAShK-u paralajmëron protestë nëse nuk korrigjohet Projektligji për pagat
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ia ka bërë me dije kryeministrit Ramush Haradinaj dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë se të shtunën do të mbajnë një protestë nëse nuk korrigjohet Projektligji për pagat.
“SBAShK-u duke dëgjuar zërin e punëtorëve të arsimit nga e tërë Kosova të nis përgatitjet për veprime konkrete sindikale duke filluar me një protestë të shtunën, më 8 shtator, para Qeverisë e për të vazhduar pastaj, nëse Qeveria nuk reflekton dhe nuk e kthen Projektligjin për korrigjim në Ministrinë e Administratës Publike, me veprime tjera sindikale. Nga e hëna kur Qeveria e Kosovës ka votuar Projektligjin për pagat SBAShK-u ka bërë një analizë të tij dhe ka vërejtur se versioni i votuar që do të mbështetet me dhjetëra e dhjetëra milionë shtesë nga buxheti i Kosovës do të mundësojë ngritjen e dukshme të pagës për shumicën e sektorit publik, por jo edhe për sektorin e arsimit dhe atij të kulturës”, është thënë në njoftimin e SBAShK-ut.
Sipas njoftimit, ky projektligj është diskriminues, degradues dhe nënçmues ndaj të punësuarve në arsim dhe kulturë.
“Për situatën e krijuar dhe për tensionet e ngritura në tërë sistemin arsimor SBAShK-u ka informuar me shkresa zyrtare kryeministrin Haradinaj, zëvendëskryeministrat Limaj, Hoxhaj e Pacolli dhe ministrin në MAShT-it, Shyqiri Bytyqi duke kërkuar nga ata që të kthehet për korrigjim Projektligji për pagat ose në të kundërtën në sistemin arsimor do të fillohet me veprime sindikale”, është thënë në njoftimin e SBAShK-ut.
/Epoka e re/