SBAShK-u paralajmëron veprime sindikale në fillim të marsit

14 shkurt 2022 | 14:22

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka njoftuar se ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm me Këshillin Drejtues dhe me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve.

Sipas njoftimit dërguar mediave, temë kyçe e debatit në këtë takim ishte versioni që po qarkullon i Draftit të Ligjit të ri të pagave e veçmas shtojcat e koeficienteve.

SBASHK-u bën të ditur se përfaqësuesit e të punësuarve në arsim, që nga çerdhet e deri në Universitete, pasi kanë bërë vërejtje konkrete, kanë shprehur kundërshtime të bazuara ndaj këtij versioni të Draft Ligjit të pagave.

“Për SBASHK-un është i papranueshëm raporti i koeficieteve 1 me 20 ,që favorizon shumë qeveritarët në dëm të të punësuarve në arsim, kulturë por edhe sektorë të tjerë, e po ashtu është e papranueshme edhe tendenca për zbritje të koeficienteve për numrin më të madh të të punësuarve në arsim. Pjesëmarrësit e këtij takimi të jashtëzakonshëm pas një debati të gjatë e konstruktiv kanë autorizuar Kryesinë dhe komisionin e ekspertëve të fushës që të vazhdojnë me angazhimet dhe t’ia prezantojnë Ministres Nagavci dhe Ministrit Sfeçla propozime konkrete e të argumentuara të SBASHK-ut me qëllim që të punësuarit në tërë sektorin e arsimit dhe në atë të kulturës të kenë vend meritor në Ligjin e ri të Pagave , e jo pozitë nënçmuese e të degraduar, siç është tani në versionin , që po qarkullon, të Draft Ligjit të Pagave”, është thënë në njoftim.

Sipas njoftimit, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve kanë marrë vendim unanim se nëse MASHTI dhe Ministria që drejton Sveçla u ikin takimeve me përfaqësuesit e SBASHK-ut, apo nuk përfillin kërkesat e argumentuara të punëtorëve të tërë sektorit të arsimit e të kulturës, atëherë në pjesën e parë të marsit do të ketë veprime sindikale paralajmëruese.

Gjegjësisht, sipas tyre do të ketë protesta me numër të kufizuar pjesëmarrësish dhe nëse edhe pas kësaj nuk do të ketë ndryshime pozitive, atëherë do të shkohet me veprime edhe më radikale, duke mos përjashtuar as grevën e përgjithshme në tërë sistemin arsimor që nga çerdhet, në arsimin parauniversitar dhe në Universitete.

“Nga ky takim dhe nga konsultat e zhvilluara u mor vendimi që SBASHK të kërkojë nga Qeveria të ngritën pagat në mënyrë lineare në vlerën prej 100 euro për gjithë të punësuarit në arsim , shkencë e kulturë nga muaj prill e deri kur të nis së implementuari Ligji i ri i pagave, që duhet të jetë produkt i marrëveshjes paraprake mes Qeverisë dhe sindikatave”, është thënë në njoftim e sindikatës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munchen u mposht së fundmi, por Robert Lewandowski la…