SBAShK-u: Pavarësisht presioneve greva po vazhdon në të gjitha komunat
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës (SBAShK) nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë me dije të martën se, pavarësisht prej presioneve, greva është duke vazhduar në të gjitha komunat, me përjashtim të shkollës “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan të Deçanit.
“Pavarësisht prej presioneve të mëdha në disa komuna, e sidomos presionit të madh që është duke u bërë në Komunën e Deçanit, edhe dita e shtatë e grevës së punonjësve arsimor është mbajtur në të gjitha komunat, në përjashtim të shkollës ‘Heronjtë e Dukagjinit’ në Gllogjan, e cila numëron 15 anëtarë, edhe në shkollën ‘Dëshmorët e Vokshit’ në fshatin Pobërgj një mësimdhënëse ka tentuar të mbajë orën e parë, por edhe ajo iu ka bashkangjitur grevës në Komunën e Deçanit”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.
Të martën kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, me bashkëpunëtorë ka vizituar grevistët në Komunën e Pejës si dhe Këshillin Grevist në Deçan për të biseduar për gjendjen në këtë komunë. “Vizita grevistëve iu bënë edhe në Prishtinë nga anëtarë të tjerë të Këshillit Qendror Grevist në çerdhen ‘Xixëllonjat’ në Prishtinë, ku biseduan për ofertën e ofruar nga Qeveria si dhe për vendimin që ka marrë Këshilli Drejtues i SBAShK-ut në takimin e djeshëm”, është theksuar më tutje në komunikatë.
SBAShK-u u ka bërë apel kryetarëve të komunave, edhe drejtorive arsimore, që mos të bëjnë presion për thyerje të grevës në komunat e tyre si dhe mos të përfshihen në ‘konflikt’ derisa ata s’kanë mundësi të zgjedhjes së kërkesave të shtruara nga SBAShK-u, kërkesa të cilat vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Njëherësh, kërkojmë nga ata që para se ta ftojnë Këshillin Grevist në biseda ‘informative’ t’i lexojnë ligjet mbi organizimin sindikal, Ligjin e grevës dhe statutin e SBAShK-ut dhe nga ato mund të marrin informata të sakta, se greva është e shpallur në nivel vendi dhe këtë të drejtë të shpalljes së grevës e ka pasur Këshilli Drejtues i SBAShK-ut, i cili është i vetmi organ legjitim që mund ta përfundojë grevën në rast se janë plotësuar kërkesat”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.
/Epoka e re/