SBASHK-u për kompensimin e orëve të humbura: Do të mbajmë grevë nëse vazhdojnë presionet ndaj nesh
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, pak para seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, u ka thënë deputetëve se është më mirë të diskutojnë për mungesën e kushteve elementare të punës në shumicën e shkollave të Kosovës se sa të merren me një vendim joligjor të ministrit të Arsimit, Shyqeri Bytyqi.
SBASHK nëpërmjet një komunikate ka thënë se ligji për grevat i Republikës së Kosovës e njeh grevën si veprim demokratik dhe nuk obligon grevistët që orët apo ditë e humbura në grevë të kompensohen.
“Ministri Bytyqi nxori një vendim të pabazuar në ligj dhe bashkë me një pjesë të drejtorëve të drejtorive arsimore e të disa shkollave filluan një presion të paparë ndaj mësimdhënësve për kompensim të orëve të humbura në grevë. SBASHK duke e konsideruar me të drejtë këtë vendim jo ligjor ngriti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke kërkuar që institucioni i drejtësisë të vlerësojë ligjshmërinë e këtij vendimi dhe SBASHK-u publikisht është deklaruar se do ta respektojë verdiktin e gjykatës. Mendojmë se çdo diskutim më parlament në dobi të vendimit joligjor të ministrit Bytyqi do të ishte ndërhyrje dhe presion në institucionin e drejtësisë”.
“Deputetë të nderuar ju sot është më mirë të diskutoni për mungesën e kabineteve të informatikës, kimisë, fizikës e lendeve të tjera, për mungesën e sallave të edukatës fizike, për gjendjen e mjerë të nyjave sanitare, pra për mungesën e kushteve elementare të punës në shumicën e shkollave të Kosovës, mungesa këto që ndikojnë shumë në procesin mësimor e edukativ se sa të merreni me një vendim jo ligjor të ministrit Bytyqi. Sot duhet t’i qortoni ministrin dhe një pjesë të drejtorëve, të cilët duke bërë presione për zëvendësimin e orëve të humbura në grevë, por pengojnë procesin mësimor. Duhet t’i qortoni e të merrini masa ndaj drejtorëve, si rasti në Mitrovicë, kur drejtori jep urdhër me shkrim, që duhet zëvendësuar orët edhe për ditët që mësimdhënësi ka qenë i sëmurë dhe në pushim mjekësor”, thuhet në komunikatën e SBASHK-it.
SBASHK-u ka njoftuar se nëse vazhdohet me presione ndaj mësimdhënësve për të zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës, SBASHK-u duke dëgjuar zërin dhe kërkesën e punëtorëve të arsimit të Kosovës do të shpall grevë si reagim ndaj këtyre presioneve.