SBAShK-u pjesë e protestës së mësimdhënësve të Evropës në Bruksel
Konfederata e Sindikatave Evropiane dhe Komiteti i Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) organizojnë një protestë më 26 prill në Bruksel në mbrojtje të profesionit dhe të figurës së mësuesit.
Në këtë protestë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të SBAShK-ut të cilët do t’i bashkohen zërit të kolegëve të tyre nga e tërë Evropa për autonomi shumë më të madhe profesionale, mbështetje dhe rritje të investimeve në arsim, kushte shumë më të mira pune, për dialog të mirëfilltë social, përfshirje të sindikatave në vendimmarrje, për mbrojtje të profesionit dhe figurës së mësuesit dhe për çështje të tjera nga aktualiteti në arsim.
“Kjo protestë do të jetë nisje e aktiviteteve që do të zhvillohen pastaj nga sindikatat anëtare në shtetet e tyre për të sensibilizuar opinionin e për të ndikuar te qeveritë dhe institucionet tjera krijimin e kushteve për edukimin sa më cilësor për të gjithë, për rritjen e buxhetit për arsim dhe për forcimin e dialogut social. Një aktivitet i vazhdueshëm në të gjitha shtetet e Evropës do të jetë insistimi që sindikatat të jenë kudo merren vendime për arsimin e jo t’u serohen vendime e të kërkohet implementimi i tyre pa vullnetin e punëtorëve të arsimit”, është thënë në njoftimin e SBAShK-ut.
Përfaqësuesit e sindikatave pjesëmarrëse në protestën e 26 prillit do të jenë të enjten në Bruksel për të zhvilluar takime bilaterale dhe për të marrë informacione të plota dhe këshilla në mënyrë që ky veprim sindikal të jetë i organizuar në nivelin më të lartë të mundshëm dhe të arrijë efektet e dëshiruara.
Sindikatat pjesëmarrëse në këtë protestë do të kërkojnë një Evropë më të mirë për punëtorët. Do të kërkojnë që për formësimin e të ardhmes së Evropës figurë kyçe të jetë mësuesi.
/Epoka e re/