SBASHK-u protestë më 1 maj: Qasje shumë e keqe e Qeverisë Kurti ndaj punëtorëve të arsimit
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) përmes një reagimi për medie, ka theksuar se Qeveria Kurti është duke pasur qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit.
“I nderuar kryeministër Kurti, ministër Murati dhe ti ministre Nagavci para disa viteve kur shkonim në takime ndërkombëtare sindikale dhe bashkëbisedonim me kolegët nga disa shtete të rajonit krenoheshim duke parë se qëndronim mirë me pagat, por edhe me benifitet që sillte Kontrata Kolektive e Arsimit të Kosovës. Krenoheshim edhe për takimet dhe dialogun e sinqertë me institucionet qendrore e lokale. Mirëpo në qeverisjen tuaj gjërat ndryshuan dhe ju i nderuari kryeministër, por edhe ministri Murati e ministrja Nagavci keni qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe kërkesave të tyre legjitime. Tani, si për inat, kolegët nga sindikatat e arsimit të vendeve të rajonit po na lavdërohen me pagat e ngritura vazhdimisht, që dallojnë shumë krahasuar me pagat në Arsimin Parauniversitar të Kosovës. Po na krenohen edhe me Kontratat e tyre Kolektive, për Ligjin për sigurimin shëndetësor, për atë të skemave pensionale dhe për kushtet e punës dhe për respektin e shprehur publikisht të qeverive të tyre ndaj figurës së mësuesit. Ju vepruat krejt ndryshe”, është thënë në reagimin e SBASHK-ut, duke shtuar tutje se punuat Ligjin për paga që nuk realizoi pritjet e arsyeshme të SBASHK-ut.
“Ju lëvizët në mënyrë ironike vlerën e koeficientit të pagave. Ju nuk e bëtë Ligjin për sigurime shëndetësore. Ju bëtë ndryshime e plotësime në Ligjin për skemat pensionale dhe, si me qëllim, mohuat të drejtën e fituar nga neni 8, paragrafi 6 që vitet e ‘90-ta i pranonte arsyeshëm si vite kontributdhënëse. Ju për t’i shuar sindikatat shkelet Ligjin për organizimin sindikal dhe shlyet tërë anëtarësinë duke i obliguar nëse duan të kenë sindikatë të regjistrohen në platformën e Kosova, që nuk ka ndodhur në as një vend të botës. Ju nuk bëtë asgjë as për përmirësimin e kushteve të punës që do të ndikonin shumë në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë. Ju paralizuat punën e Këshillit Ekonomik Social. Ju nuk doni të nënshkruani tani e sa kohë Marrëveshjen Kolektive që garanton të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe atë privat”, është thënë në këtë reagim.
SBASHK-u ka theksuar se si reagim i kësaj qasje të keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të tjerëve do të ketë protestë më 1 maj. “Prandaj, Qeveri ju bëjmë apel ndryshoni qasjen e keqe ndaj punëtorëve të arsimit dhe të punësuarve tjerë në sektorin publik e privat dhe kështu do të parandaloni veprimet tjera sindikale”, është theksuar në reagimin e SBASHK-ut.