SBAShK-u proteston më 4 dhjetor, Jasharaj: Ky është alarmi i fundit për qeverinë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) më 4 dhjetor do të organizojë një protestë për të shprehur pakënaqësinë për mosmiratimin e Ligjit të Pagave.
Kjo sindikatë ka theksuar se nëse edhe pas kësaj proteste nuk do të ketë reflektim nga ana e Qeverisë së Kosovës atëherë do të ketë përshkallëzim të veprimeve sindikale.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se është duke munguar vullneti nga ana e qeverisë për t’u takuar me drejtuesit e kësaj sindikate.
Në këtë kontekst, Jasharaj ka përmendur kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfefeve, Hekuran Murati.
“SBAShK-u veprimin e parë sindikal do të bëjë të shtunën e 4 dhjetorit me pjesëmarrje të kufizuar. 4 dhjetori do të jetë alarmi i fundit për qeverinë. Opsioni i parë pas 4 dhjetorit është ta përgatisim një protestë, që nënkupton në atë protestë do të jenë të gjithë. Pas kësaj do të fillojmë me grevën e përshkallëzuar”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse nuk do të ketë reflektim nga qeveria, do të hyjnë në grevë.
“Le ta di qeveria se orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen. Uroj që Qeveria e Kosovës të reflektojë”, është shprehur Jasharaj.