SBASHK-u: Qeveria po i ik dialogut, do të përballet me veprime sindikale

21 maj 2021 | 12:15

SBASHK-u ka paralajmëruar se Qeveria e Kosovës do të përballet me reagime e veprime sindikale, nëse vazhdon t`i injorojë kërkesat e tyre për takim.

Përmes një komunikate për media, SBASHK-u ka treguar se kryeministri Kurti dhe ministrat e tij nuk po përgjigjen pozitivisht në kërkesat e sindikatës për takime, ku do t`i diskutonin shqetësimet e tyre.

Sipas kësaj sindikate, Qeveria duke i ikur dialogut do të përballet me reagime e veprime sindikale. “Kryeministri Kurti, ministri Murati dhe Ministrja Nagavci le ta dinë se punëtorët e arsimit kanë ngritur shumë shqetësime dhe ato i kanë adresuar përmes përfaqësuesve të tyre në organet udhëheqëse të SBASHK-ut e të cilat janë të obliguara të angazhohen për gjetjen e zgjedhjes meritore për to dhe do të ishte mirë që kjo të bëhet me dialog. SBASHK-u në kërkesat zyrtare drejtuar Kryeministrit Kurti, ministrit Murati dhe ministres Nagavci u ka shpjeguar edhe çështjet që duhet debatuar sepse janë kërkesa të punëtorëve të arsimit e kulturës”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.

Komunikata e plotë e SBAShK-ut:

Qeveria duke i ikur dialogut do të përballet me reagime e veprime sindikale

SBASHK-u ka bërë përpjekje tani e sa kohë duke dërguar shkresa zyrtare që të takohet me Kryeministrin Kurti dhe me Ministrin Murati e Ministren Nagavci me qëllim që të debatojnë për gjithë çështjet e ngritura nga punëtorët e tërë sektorit të arsimit dhe të gjejmë zgjidhje të pranueshme përmes dialogut të mirëfilltë. Kujtojmë se Qeveria, edhe përkundër agjendave të ngjeshura, duhet të gjej kohë të takohet e të dëgjojë shqetësimet e punëtorëve të njërit prej sektorëve më të rëndësishëm dhe të SBASHK-ut si sindikata me madhe numerikisht dhe më e fuqishmja për nga angazhimet dhe aktivitetet.

Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati nuk i janë përgjigjur kërkesave të SBASHK-ut për takime e për dialog e kohëve të fundit sikur edhe Ministrja Nagavci po zgjedh të njëjtën mënyrë dhe merr vendime aty për aty e pa u konsultuar e pa pasur dialog me SBASHK-un si përfaqësuesin e vetëm të të punësuarve që nga çerdhet e deri edhe në Universitetet e Kosovës dhe në sektorin e kulturës.

Kryeministri Kurti, ministri Murati dhe Ministrja Nagavci le ta dinë se punëtorët e arsimit kanë ngritur shumë shqetësime dhe ato i kanë adresuar përmes përfaqësuesve të tyre në organet udhëheqëse të SBASHK-ut e të cilat janë të obliguara të angazhohen për gjetjen e zgjedhjes meritore për to dhe do të ishte mirë që kjo të bëhet me dialog. SBASHK-u në kërkesat zyrtare drejtuar Kryeministrit Kurti, ministrit Murati dhe ministres Nagavci u ka shpjeguar edhe çështjet që duhet debatuar sepse janë kërkesa të punëtorëve të arsimit e kulturës.

Mirëpo gatishmëria e Qeverisë për takime e dialog deri tani ka munguar dhe nëse Kryeministri Kurti, ministri Murati e mbase edhe ministrja Nagavci vazhdojnë të arsyetohen se kanë agjenda të ngjeshura dhe i ikin takimeve e dialogut me SBASHK-un për çështjet dhe shqetësimet e ngritura nga punëtorët e sektorit të arsimit e kulturës, atëherë mund të vi deri të kërkesa e anëtarësisë për veprime sindikale, duke nisur mbase me kundërshtimin për zgjatjen e vitit shkollor dhe kërkesa të tjera, të cilat organet udhëheqëse të SBASHK-ut do t’i zbatojnë në përpikëri, por përgjegjësinë për gjendjen që do të krijohet do ta kenë ata që po i ikin takimeve dhe dialogut.

 

Prishtinë, 21 maj 2021,

 

Zyra për informim e SBASHK-ut

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja e njohur, Arta Nitaj është treguar e hershme këtë…