SBASHK-u, qeverisë: Mos i ikni dialogut, jeni duke dërguar arsimin e kulturën drejt grevës
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) i ka bërë thirrje Qeverisë për takim në lidhje me kërkesat e të punësuarve në sektorin e arsimit dhe të shumë institucioneve të kulturës për Projektligjin e pagave duke ua dërguar edhe propozimet konkrete për vërejtjet që kanë në draftin e publikuar si dhe tabelarin e koeficienteve.
SBASHK-u i ka dërguar shkresa për Projektligjin e pagave Qeverisë dhe ministrave gjegjëse.
“Ua kemi adresuar shumë herë edhe kërkesën tonë modeste për një shtesë në pagë prej 100 euro për të gjithë të punësuarit në arsim e kulturë deri të fillojë aplikimi i Ligjit të pagave, kërkesë kjo e argumentuar nga ngritja e madhe dhe e vazhdueshme me çmimeve të artikujve elementar. Kemi pritur se do të ndodhin takime dhe dialog i mirëfilltë, por deri tani kjo nuk ndodhi. Aq më tepër në përpjekje për të pasur takime dialog i kemi dërguar letra presidentes së Kosovës dhe kryetarit të Parlamentit të Kosovës që të shfrytëzojnë pozitivisht autoritetin e tyre dhe të ndihmojnë që të ketë dialog frytdhënës”, është thënë në reagimin e SBASHK-ut.
Sipas këtij institucioni, përmes këtij publikimi edhe njëherë i bëjnë apel Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministrit Sveçla, ministres Nagavci dhe ministrit Murati që ta shfrytëzojnë edhe këtë javë për dialog, në të kundërtën më 2 prill 2022 Kongresi i SBASHK-ut do të merr vendime për veprime sindikale, ashtu siç është deklaruar anëtarësia me shkrim.