SBAShK-u reagon për pagesat e 32 zyrtarëve serb pa shkuar në punë
Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka reaguar ndaj MASHT-it dhe institucioneve tjera lidhur me pagesën e 32 zyrtarëve serb të cilët nuk shkojnë asnjë ditë në vendin e tyre të punës.
Kjo sindikatë ka vlerësuar se ministria dikë po paguan pa punuar fare e për disa punonjës me sëmundje të rënda nuk po ka buxhet.
“Njëkohësisht që nga shtatori kemi bërë kërkesa e apele të ndryshme edhe SBASHK-u edhe DKA- Fushë Kosovë për 53 punëtorë arsimor të cilët nuk marrin paga edhe pse punojnë që nga shtatori i vitit 2020 e disa edhe më herët, ku në mesin e tyre janë 5 punëtorë teknik të cilët e mirëmbajnë shkollën çdo ditë por nuk marrin paga”, është thënë në reagim e SBAShK-ut.
Reagimi i plotë:
Dikë po paguani pa punuar fare e për kolegët tanë me sëmundje të rënda nuk po keni buxhet. Është mirë që mediet e bën publik faktin se në MASHTI janë 32 zyrtarë serbë që paguhen pa shkuar as edhe një ditë të vetme në vende të punës. Ky veprim i MASHTI-t, por edhe i Ministrive e institucioneve tjera, që besojmë se ka raste të tilla, meriton të kritikohet, jo pse ata zyrtarë janë serbë, po pse për individë, kushdo janë ata e që kurrë nuk i pa kush në vende të punës, ka mjete, kurse për kërkesën e përsëritur shumë herë nga SBASHK në takimet me MASHTI-n që të gjenin mjete dhe të zgjidhet në mënyrë të drejtë çështja e punëtorëve arsimorë me sëmundje të rënda, as që gjetën kohë të debatojnë pak më seriozisht as MASHTI e as Qeveria.
Njëkohësisht që nga shtatori kemi bërë kërkesa e apele të ndryshme edhe SBASHK-u edhe DKA- Fushë Kosovë për 53 punëtorë arsimor të cilët nuk marrin paga edhe pse punojnë që nga shtatori i vitit 2020 e disa edhe më herët, ku në mesin e tyre janë 5 punëtorë teknik të cilët e mirëmbajnë shkollën çdo ditë por nuk marrin paga. Situatë edhe më keqe është në komunën e Mitrovicës ku kemi mbi 100 punonjës arsimor që nuk marrin paga dhe nuk figurojnë fare në listën e pagave, prandaj edhe një herë kërkojmë nga MASHTI, gjegjësisht Qeveria e Kosovës që të bën një zgjedhje urgjente për këta të punësuar, të cilët çdo ditë e kryejnë punën e vet por ka pesë muaj që nuk marrin paga.
Do kujtuar se në vitin e kaluar mësimor pas angazhimit të përbashkët të SBASHK-ut dhe Ministrit Likaj e zëvendësministrit Rexhaj nga Qeveria Hoti u gjet mbështetja dhe u ofrua një zgjidhje e përkohshme (për vitin shkollor 2020/2021) për 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda me shpresën se do të punohej për një zgjidhje të përhershme duke kryer kështu institucionet obligimin e tyre njerëzor e moral për këta njerëz, që detyrohen të shkojnë në institucione arsimore duke qenë të vetëdijshëm se pak mund të kontribuojnë, por u duhet ta ruajnë vendin e punës dhe kafshatën e bukës për familjet e tyre dhe për të blerë ilaçet.
SBASHK, pa dashur të përzihet në politika të mëdha a të vogla të shtetit tonë, konsideron se nëse për dikë, pa marrë parasysh arsyet politike e çfarëdo qofshin ato, gjenden mjete për paga pa shkuar as edhe një ditë në punë, atëherë është obligim moral e njerëzor që të gjendën mjete edhe për punëtorët arsimorë me sëmundje të rënda që ta gëzojnë mbështetjen e shtetit, të marrin mbështetje të dinjitetshme materiale, të kenë kohë të merren me sëmundjen e tyre e të zëvendësohen me kuadro gjegjëse e që janë duke pritur me vite për një vend pune e gjithashtu të gjendën mjete edhe për punëtorët arsimor që me muaj të tërë punojnë e nuk paguhen.