SBAShK-u thotë se janë të mobilizuar për mësimin në distancë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Kryesia bashkë me kryetarët e nivelit komunalë sindikalë dhe të universiteteve çdo ditë janë duke mbajtur takime pune, ku nga larg janë duke përcjellë situatën aktuale në arsim.
“Në takimin e sotëm kryetari i SBAShK-ut ka informuar stafin, Kryesinë dhe kryetarët e nivelit komunalë dhe të universiteteve se ka komunikuar me ministren Hykmete Bajrami për ta përgëzuar e uruar me rastin e nisjes së mësimit nga larg, duke i shprehur mbështetjen e plotë të SBASHK-ut në përpjekjen e përbashkët që dija dhe arsimi të vazhdojnë rrugëtimin drejt diturive të reja e me lutjen e përbashkët për fitore ndaj armikut tinëzar dhe kthim sa më të shpejt në institucionet arsimore”.
“SBAShK-u në takimin e sotëm ka marrë informacione nga kryetarët e nivelit komunalë dhe të universiteteve se shumë nga kolegët tanë ka kohë që kanë nisur komunikimin nga larg me prindër e nxënës dhe duke zhvilluar kështu brenda mundësive njësi mësimore e duke testuar njohuri përmes detyrave. SBAShK-u përgëzon kolegët tanë për këtë angazhim”, ka njoftuar SBAShK-u.
Sipas këtij njoftimi, punëtorët e arsimit janë dëshmuar edhe në kohë të tjera të liga, duke e mbajtur gjallë dritën kundër errësirës.
“Ata edhe në këto kohë të vështira për Kosovën dhe tërë botën janë të mobilizuar dhe do të jenë, edhe pse nga larg, me nxënësit e prindërit në rrugëtimin drejt dijeve të reja. Stafi i SBAShK-ut, Kryesia dhe kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve çdo ditë do të vazhdojnë me komunikimin dhe takimet nga larg duke analizuar situatën e duke qenë në gatishmëri për punë e përkushtim sipas kërkesave të kohës. Në gjithë vitet e okupimit qëndruam fuqishëm në shërbim të dijes e dritës kundër errësirës. Të mobilizuar e të gatshëm jemi edhe sot. Edhe nga këto takime prej së largu stafi dhe gjithë anëtarët e SBAShK-ut edhe një herë shprehin mbështetjen dhe respektin për Sindikatën e Shëndetësisë, pra ndaj mantelbardhëve duke i përgëzuar për angazhimin dhe përkushtimin në luftë për jetën kundër vdekjes”, është thënë në këtë njoftim.