SBAShK-u uron punëtorët arsimorë për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) ka uruar punëtorët arsimorë për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.
“Të nderuar punëtorë të arsimit me respektin më të lartë ju përgëzojmë për gatishmërinë dhe angazhimin që gjysmëvjetori i dytë të nis me sukses. Urojmë që të kemi sa më pak telashe e vështirësi me pandeminë dhe të vazhdojmë betejën për dije të reja edhe përkundër mungesës së kushteve për punë dhe të mjeteve bashkëkohore të mësimit. Gatishmëria dhe vullneti juaj në misionin e shenjtë të edukimit e arsimimit të brezave na bën të ndjehemi krenar dhe ju premtojmë se ne do të vazhdojmë ta ruajmë besimin tuaj duke u angazhuar tani e gjithmonë që të jemi zë i juaji dhe të realizojmë kërkesat tuaja legjitime”, thënë në komunikatën e SBAShK-ut.
SBAShK-u ka bërë thirrje për angazhim maksimal në respektimin e rekomandimeve të IKShPK-së duke ruajtur kështu shëndetin e nxënësve.
“Ju përgëzojmë edhe për gatishmërinë e shprehur vazhdimisht që të angazhoheni e të veproni sipas vendimeve të institucioneve përgjegjëse lidhur me situatat që mund të krijohen, sepse fatkeqësisht numri i të prekurve me Covid edhe në Kosovë sa vjen e shtohet. Besojmë se ndonjë mesazh përgëzimi e mbështetjeje i institucioneve të Kosovës do të na jepte kurajë e forcë shtesë për ta realizuar më lehtë misionin e shenjtë për edukimin dhe arsimimin e brezave. Na priftë e mbara dhe paçim rrjedhë të mbarë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.