SBAShK-u uron që Kosova në vitin 2025 të ketë kryeministër e qeveri dhe jo sulltan e pashallarë
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tij se gjatë konferencave përmbyllëse nuk kanë gjetur asnjë minutë për t’i përshëndetur policinë, punëtorët e arsimit, administratën publike e zjarrfikësit.
SBAShK-u ka thënë se përkundër që Qeveria e Kosovës nuk i ka uruar, një gjë të tillë po e bëjnë ata, duke thënë se urojnë që në vitin 2025 “të kemi kryeministër e qeveri, e jo sulltan e pashallarë”.
“U mbajtën konferenca përmbyllëse me mediet në këtë fundit dhe duke u nisur fakti se as Kryeministri Kurti e as ministrat e kësaj qeverie nuk e gjetën as edhe një minutë për të përshëndetur policinë tonë, që ka dhënë qindra shembuj në mbrojtje të atdheut, as punëtorin e arsimit, që u bë simbol i qëndresës në vitet e 90-ta e deri sot, as për administratën publike e as për zjarrfikësit e shërbyesit tjetër të popullit të Kosovës”.
“SBASHK ju uron Vitin e Ri punëtorëve arsimorë, policisë, punëtorëve shëndetësor, zjarrfikësve, punëtorëve të administratës dhe gjithë shërbyesve civilë dhe punëtorëve në sektorin privat me urimin që në vitin 2025 të kemi kryeministër e qeveri e jo sulltan e pashallarë”, është thënë në urimin e SBAShK-ut.