SBAShK-u vazhdon përgatitjet për Konferencën për shëndetin mendor në shkolla
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka njoftuar se është duke vazhduar përgatitjet për Konferencën për shëndetin mendor në shkolla.
SBAShK-u ka bërë me dije se në mbështetje të Qendrës Amerikane të Solidaritetit më 20 dhe 21 shkurt do të organizojnë Konferencën për shëndetin mendor në shkolla.
“Shtimi i rrezikut nga prania e dukurive negative në shkolla dhe përplasjet e kacafytjet, që po përfundojnë me lëndime të rënda e madje edhe me vdekjen e të rinjve e shtojnë arsyen për një aktivitet të tillë. Pjesëmarrësit e kësaj tryeze kanë caktuar datat 20 dhe 21 shkurt për mbajtjen e Konferencës ‘Kujdesi për shëndetin mendor në shkolla’. SBAShK-u bashkë me Qendrën Amerikane të Solidaritetit janë duke vazhduar me angazhimet me qëllim që në këtë ngjarje të veçantë të jenë pjesëmarrës specialistë të kësaj fushe dhe të nxjerrën detyra konkrete të angazhimeve për secilën palë që është e ndërlidhur me arsimin”, është theksuar në njoftimin e SBAShK-ut.
Në kuadër të angazhimeve për përgatitjen e kësaj Konference përfaqësuesit e SBAShK-ut kanë zhvilluar konsulta të vazhdueshme me përfaqësues të Qendrës Amerikane të Solidaritetit, por edhe me Odën e mjekëve dhe të infermierëve, me qëllim që ata të kontribuojnë me profesionalistë të fushës për rrjedhën e mbarë të kësaj konference.
“Në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës Amerikane të Solidaritetit me seli në Uashington, Shauna Bader Blau, përfaqësues të sindikatave simotra nga Sllovenia dhe vende të Ballkanit dhe profesionalistë të shumtë të fushës që ndërlidhet me temën e kësaj ngjarje të veçantë për arsimin në Kosovë”, ka njoftuar SBAShK-u.