SBAShK-u vazhdon takimet me shefat e grupeve parlamentare për situatën në arsim

01 dhjetor 2021 | 16:29

Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharaj dhe Ymer Ymeri, kanë takuar të mërkurën shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili shoqërohej nga deputetja Eliza Hoxha, e cila është edhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim.

Përfaqësuesit e SBAShK-ut kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me fatin e Ligjit të pagave, duke kërkuar që deputetët nga subjektet politike bashkë me kolegët e tyre nga subjektet e tjera të angazhohen që në Ligjin për buxhet të planifikohet buxhet i cili do të mundësonte implementimin e Ligjit të pagave.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se i kupton shqetësimet e anëtarësisë së SBAShK-ut.

Ai ka premtuar se do të angazhohen maksimalisht që në debatin parlamentar të japin kontribut bashkë me subjektet e tjera politike që të krijohet mbështetje buxhetore për Ligjin e pagave dhe të shtohen angazhimet që ky ligj të implementohet.

Ndërkaq deputetja dhe anëtarja e Komisionit Parlamentar për Arsim, Eliza Hoxha, ka shprehur gatishmërinë që të organizohen takime në këtë komision dhe të bashkëbisedohet për të gjitha çështjet në arsim, duke bërë angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit dhe ngritjes së vazhdueshme të cilësisë.

Përfaqësuesit e SBAShK-ut këto ditë kanë takuar edhe shefat e grupeve të tjera parlamentare.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, prof. ass. dr.…