Scaloni: Messin e pres edhe në 2026-tën
Lionel Scaloni ishte i ftuar special në Qendrën Sportive, Coverciano me teknikun argjentinas që bisedoi gjatë me kolegët e tij në futbollin italian.
Një pjesë e mirë, ishte edhe rreth suksesit të Argjentinës në Botërorin e Katarit, ku Lionel Messi me shokë ngritën në qiell trofeun e shumë ëndërruar për të gjithë popullin argjentinas. Tekniku 44-vjeçar u shpreh se pas triumfit “fshihej” një komunikim shumë i mirë mes stafit, lojtarëve dhe tifozëve.
Ndër të tjera, Scaloni theksoi se Messi e ka “derën të hapur” edhe për Botërorin e vitit 2026.
“Një nga aspektet më të rëndësishëm në rrugëtimin tonë në Botëror ishte komunikimi, komunikimi mes lojtarëve me stafin, por edhe me tifozët. Kishim një lidhje të ngushtë me ta, ishte emocionale dhe kjo na bënte që ta donim fanellën edhe më shumë. Pastaj, sigurisht të kesh në skuadër një lojtar si Messi është avantazh i madh. Si një ish-shok skuadre i tij, ta trajnosh është po aq bukur, shoh se si lojtarët e tjerë e ndjekin dhe e kërkojnë në fushë. Ai është një lider”, ka thënë Scaloni.
“Messi në 2026-tën? Nëse do të luajë në Botërorin e ardhshëm apo jo, është një vendim që i takon Messit. Nëse do të jetë mirë fizikisht dhe trupi do t’i përgjigjet, unë e pres”, u shpreh Scaloni.