Scaparrotti: Rusia po financon parti në Ballkan kundër BE-së dhe NATO-së
Komandanti i trupave amerikanë për Evropën, gjenerali Curtis Scaparrotti ka akuzuar Moskën se po financon parti politike në Ballkan për të penguar integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Ata bëjnë përpjekje për të minuar çdo përparim drejt integrimeve Euro-Atlantike, BE, NATO, etj. Këtë e bëjnë kryesisht përmes dizinformimit, e bëjnë duke financuar dhe mbështetur parti radikale. Ata jo domosdoshmërisht përcaktojnë se cilin krah mbajnë. Rëndësi ka që të minojnë qeverinë aktuale në çdo hap të hedhur përpara. Shohim që ky aktivitet është shtuar gjatë 6 apo 8 muajve të fundit në Ballkan”, ka deklaruar Scaparrotti.
Gjatë një raportimi përpara anëtarëve të Komisionit të Shërbimeve Ushtarake të Dhomës së Ulët të Kongresit Amerikan, gjenerali Scaparrotti ka paralajmëruar se rusët mund të organizojnë akte dhune në Maqedoninë e Veriut para anëtarësimit të plotë në NATO.
“Hyrja e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO besoj se janë të papranueshme për Rusinë. Besoj se ata vazhdimisht do të përpiqen të ndërhyjnë në Maqedoninë e Veriut siç bënë me Malin e Zi”, ka thënë ai.
Moska e ka shprehur hapur qëndrimin kundër anëtarësimit në NATO të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se ka mohuar përfshirjen në tentativën për grusht shteti në Mal të Zi që u zbulua Tetorin e vitit 2016. Disa ditë më parë, edhe kreu i Këshillit Evropian, Donald Tusk ngriti shqetësimin se Rusia po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e disa vendeve evropiane, përfshirë këtu edhe rastin Brexit./tvklan/