![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/schmaichel.jpeg)
Schmeichel këshillon Eriksenin: Rikthehu në Ajax
Ruben Amorim nuk po mbështetet shumë te Christian Eriksen. Kjo situatë mund ta bëjë danezin të mendojë për të ardhmen e tij.
Siç shkruan “AS”, Peter Schmeichel, legjenda daneze e Manchester United, i ka sugjeruar atij të ndryshojë ambient dhe të rikthehet aty ku gjithçka nisi: “Do të ishte një lëvizje e madhe për të të shkonte tek Ajaxi. Ai është mesfushor dhe në Premier Ligë duhet dikush që vrapon për 90 minuta pa pushim”.
Sigurisht, edhe për shkak të moshës, performanca e ish-lojtarit të Interit ka rënë krahasuar me vitet e tij më të mira: “Edhe mënyra se si trajneri dëshiron të luajë nuk i përshtatet atij: rikuperim i shpejtë i topit dhe ritëm gjithmonë shumë i lartë. Nuk është në natyrën e tij dhe, fatkeqësisht, nuk ka më atë energjinë që kishte kur ishte i ri. Megjithatë, teknikisht, edhe kur është në zotërim të topit, ai mbetet një lojtar shumë i mirë. Mendoj se për Ajaxin do të ishte një blerje fantastike”, ka deklaruar ai. Ndërkohë, Manchester United ka mposhtur Leicesterin para tri ditësh në FA Cup me rezultatin 2-1, pasi ishte në disavantazh 1-0 në “Old Trafford”.
Golat vendimtarë u shënuan nga Joshua Zirkzee, i ardhur nga Bologna në verë, dhe Maguire, i cili vazhdon të jetë i kritikuar nga tifozët e tij. Goli në minutat shtesë i ka qetësuar përkohësisht fishkëllimat në stadium, por në planin afatgjatë do të nevojitet më shumë.