
Schmidt e pezullon financimin buxhetor për partinë e Dodikut
Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka marrë vendim për t’i pezulluar pagesat nga buxheti në të gjitha nivelet në Bosnje për Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur, e cila udhëhiqet nga Millorad Dodiku, dhe për partinë politike Sërpska e Bashkuar, e cila është partnere në koalicion me partinë e Dodikut në entitetin Republika Sërpska.
Duke folur në Sarajevë, Schmidt tha të enjten se pezullimi i financimit vlen për buxhetet në të gjitha nivelet – nga ai shtetëror, i entiteteve deri te ai komunal – duke theksuar se “veprimet kundër Marrëveshjes së Dejtonit kanë pasoja dhe se ai do ta rishqyrtojë vendimin e tij pasi ato të ndalen”.
“Të gjitha fondet për këto parti, në të gjitha nivelet e pushtetit, do të pezullohen dhe do të ridrejtohen në një llogari të veçantë në Bankën Qendrore të BeH,” tha Schmidt.
Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje ka kompetenca, të cilat janë konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të imponuar ligje dhe për të shkarkuar zyrtarë.
Ai gjithashtu e ka ndryshuar Kodin Penal të Bosnjës dhe ka përcaktuar që vendimet e tij janë të detyrueshme.
Dodik, së bashku me kryetarin e Kuvendit të RS-së dhe liderin e partisë Sërpska e Bashkuar, Nenad Stevandiq, si dhe me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, në një hetim që Prokuroria e Bosnjës po e zhvillon që nga fundi i vitit të kaluar.
Në mars u lëshuan fletarrestime qendrore ndaj tyre, pasi ata nuk iu përgjigjën ftesës për t’u marrë në pyetje.
Kjo do të thotë që secila nga gjithsej 16 agjencitë policore në të gjitha nivelet e pushtetit në Bosnje duhet t’i arrestojë ata, gjë që deri më sot nuk është bërë.
Schmidt theksoi se me vendimin që ka imponuar, synon t’i mbështesë përpjekjet e institucioneve të Bosnjës për t’iu kundërvënë “sulmeve flagrante të koalicionit qeverisës të RS-së, të udhëhequr nga SNSD-ja dhe Sërpska e Bashkuar, ndaj parimeve themelore të Marrëveshjes së Dejtonit dhe rendit kushtetues-juridik të Bosnjës”.
Ai theksoi se udhëheqësit e SNSD-së dhe të Sërpskas së Bashkuar janë në pararojë të aktiviteteve kundër Dejtonit dhe se kjo është në kundërshtim me zotimet e tyre deklarative për respektimin e dispozitave të Marrëveshjes së Dejtonit për paqe.
“SNSD-ja dhe Sërpska e Bashkuar vazhdimisht i instrumentalizojnë institucionet e RS-së për të penguar institucionet e Bosnjës që t’i zbatojnë në mënyrë efikase vendimet dhe kompetencat në të gjithë territorin e Bosnjës”, tha Schmidt.
Ai gjithashtu theksoi se udhëheqësit e këtyre partive nxisin institucionet e RS-së dhe qytetarët e këtij entiteti të kryejnë vepra penale, duke i kërcënuar me sanksione nëse shfaqin rezistencë dhe mosbindje.
Vendimi i marrë, siç tha ai, hyn menjëherë në fuqi.
“Institucionet shtetërore kanë bazë në Marrëveshjen e Dejtonit dhe çdo mosrespektim i vendimit që kam marrë i nënshtrohet përgjegjësisë penale dhe mund të rezultojë me masa të mëtejshme”, tha ai. /REL