Scholz: Anëtarësimi i vendeve të Ballkanit në BE, në interes të Gjermanisë
Në një fjalim në parlamentin gjerman, kancelari Olaf Scholz ka thënë se është në interesin e Gjermanisë dhe Evropës që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Ai përshëndeti shtimin e angazhimit të BE-së me gjashtë vendet e rajonit, ndërsa vlerësoi vendimet për t’i dhënë Bosnjës dhe Hercegovinës statusin e kandidatit dhe futjen e Kroacisë në zonën e Shengenit.
Scholz i bëri këto komente në fjalimin e tij në parlament, para takimit të nivelit të lartë të bllokut me 27 anëtarë në Bruksel.
“Është në interesin gjerman dhe evropian që pjesa e mbetur e Ballkanit të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Scholz para ligjvënësve në Berlin.
Për momentin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në aspiratën e tyre për anëtarësim në familjen e madhe evropiane.
Kancelari gjerman vlerësoi gjithashtu vendimin për futjen e Kroacisë në zonën evropiane të udhëtimit pa kontrolle, e njohur si zona Shengen. “Është po ashtu në interesin tonë që nga viti 2023 Kroacia të jetë pjesë e zonës Schengen”, ka deklaruar Scholz.
Ai ka theksuar se njësoj duhet të veprohet edhe me Bullgarinë dhe Rumaninë, përfshirja e të cilave në zonën Schengen u bllokua javën e kaluar nga Austria.
Gjatë viteve të fundit procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk ka shënuar ndonjë përparim. Por pas sulmit rus në Ukrainë në fund të shkurtit, zyrtarët e BE-së kanë theksuar se rritja e angazhimit të bllokut me vendet Ballkanit është jetik për sigurinë në Evropë.
Kancelari gjerman ka pohuar se mbështetja për Kievin dhe sanksionet kundër Moskës do të vazhdojnë të intensifikohen për aq kohë sa presidenti Vladimir Putin vazhdon luftën e tij kundër Ukrainës.