Scholz duartrokitet nga Bundestagu kur thotë se Ballkani duhet të anëtarësohet sa më shpejt në BE

23 mars 2022 | 15:18

Anëtarësimi sa më i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian ishte pjesë e fjalimit të sotëm të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në fjalën e tij në parlamentin gjerman.

Madje, një deklaratë e tillë ka marrë duartrokitjen e anëtarëve të Bundestagut.

Për më tepër, Scholz ka thënë se duhet përshtatur edhe mekanizmat në BE për të bërë të mundshëm këtë proces.

“Nëse i hidhni një vështrim strategjik hartës së Evropës, ju duhet të bëni gjithçka për të siguruar që ne të mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që ata të mund të anëtarësohen në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ai.

Pas duartrokitjeve, ai ka vazhduar të thoshte se “duke pasur parasysh shtrirjen e vendimeve të tilla, është e qartë se ne duhet të përshtatim edhe mekanizmat tanë vendimmarrës në BE. Dua që gjërat të lëvizin edhe atje”.

Pas realitetit të ri gjeopolitik që ka krijuar lufta në Ukrainë janë shtuar thirrjet për ndryshim të qasjes së Bashkimit Evropian në drejtim të Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar që mënyrat e vjetra të zgjerimit të Unionit të përshpejtohen në kohën kur në Evropë ka luftë.

Bashkë me këto thirrje janë shtuar edhe shqetësimet për destabilizim të mundshëm nga Serbia në shtet e saj fqinje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mercedesi bëri një paraqitje jo fort të mirë në garën…