Scholz: Gjermania s’do ta zvogëlojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën
Gjermania nuk do ta zvogëlojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, ka thënë të mërkurën kancelari gjerman, Olaf Scholz, pas druajtjeve se Berlini mund ta zhgënjejë Kievin si pasojë e buxhetit të kufizuar dhe raportimeve se do ta ngrijë ndihmën e re ushtarake për të.
“Përkrahja e Gjermanisë për Ukrainën nuk do të pushojë. Ne kemi bërë provizione, kemi nënshkruar marrëveshje [për mbrojtjen] dhe e kemi siguruar financimin në kohë të mira, në mënyrë që Ukraina mund të vazhdojë të mbështetet plotësisht tek ne në të ardhmen”, ka thënë Scholz.
Në gusht, gazeta “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung (FAS)” ka raportuar e Ministria e Financave e Gjermanisë nuk do t’i aprovonte kërkesat shtesë për ndihmë ushtarake për Ukrainën, për shkak të kufizimeve buxhetore.
Megjithatë, një zëdhënës i qeverisë gjermane, ka thënë më vonë se ky raportim ishte “i pasaktë” dhe përsëriti se Berlini do ta mbështeste Ukrainën “aq gjatë sa të jetë e nevojshme”.
Nga zvogëlimi i buxhetit pritet të preket edhe dërgimi i tankeve gjermane Leopard në Ukrainë.
Scholz ka folur të mërkurën në një bazë ushtarake afër qytezës veriore Todendorf, ku sistemi i parë kundërajror me rreze të mesme veprimi i Gjermanisë, “IRIS-T SLM” është vënë në funksion.
Edhe para se Forcat Ajrore të Gjermanisë (Luftwaffe) ta pranonin njësitin e parë të këtij kundërajror, Gjermania i ka financuar disa sisteme “IRIS-T SLM “për Ukrainën, ku ato përdorën kryesisht për ta mbrojtur Kievin kundër sulmeve raketore ruse.
Deri tani, Gjermania ia ka dhuruar Kievit katër prej 12 kundërajrorëve të premtuar “IRIS-T SLM”.
“Në Ukrainë, IRIS-t i ka rrëzuar më shumë se 250 raketa, dronë dhe raketa lundruese deri tani, si dhe ka shpëtuar jetë të panumërta njerëzish, me një saktësi mesatare mahnitëse prej 95 për qind apo më shumë”, ka thënë Scholz.
Me një gamë prej 40 kilometrash dhe me pamje 360 shkallë, ky sistem i ndërtuar nga prodhuesi gjerman i armëve, “Diehl” është përdorur për t’i rrëzuar raketat lundruese që përdoren nga Rusia për t’i sulmuar termocentralet dhe gjithashtu avionët luftarakë, përfshirë dronët e prodhimit iranian, “Shahed”.