Scholz hap llogari në ‘TikTok’ me një premtim: Nuk do të kërcej
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka hapur një llogari në “TikTok”, duke premtuar se nuk do të shihet duke kërcyer në platformën e mediave sociale të njohura nga të rinjtë.
Kanali më i ri zyrtar i qeverisë “rrit ofertën e informacionit për qytetarët, të cilët gjithnjë e më shumë informohen dhe diskutojnë politikën në TikTok”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Scholz, Steffen Hebestreit, raporton “The Guardian”.
Llogaria do të ofrojë “një vështrim prapa skenave të përditshmërisë së qeverisë”, ka thënë Hebestreit.
I njohur për stilin e tij të matur të lidershipit, vetë kancelari tha në një tjetër kanal të mediave sociale. “Unë nuk do të kërcej. Premtuar”, ka thënë Scholz në “X”.
Scholz bëhet lideri i fundit perëndimor që i bashkohet platformës së mediave sociale në pronësi kineze, pavarësisht shqetësimeve të përhapura rreth sigurisë dhe shqetësimeve për dezinformimin.
Presidenti amerikan, Joe Biden hapi një llogari në “TikTok” në shkurt, në kohën e zgjedhjeve presidenciale të këtij viti në ShBA, në një përpjekje për të arritur te votuesit më të rinj.
Prania e Bidenit në këtë kanal, megjithatë, nuk e pengoi atë të ngrejë shqetësime për pronësinë e platformës gjatë një telefonate me udhëheqësin kinez, Xi Jinping, këtë muaj.
Hebestreit ka thënë se ishte “rastësi” që hapja e llogarisë erdhi disa ditë përpara vizitës së Scholz në Kinë këtë fundjavë. Ai ka thënë gjithashtu se zyra e Scholzit kishte marrë kohë për ta vlerësuar platformën përpara se të regjistrohej.