Scholz kërkon shtensionim të situatës në veri dhe zgjedhje të parakohshme

28 qershor 2023 | 23:04

Në prag të Samitit të BE-së në Bruksel ku do të flitet edhe për Kosovën, kancelari gjerman Olaf Scholz kërkoi vënien në jetë të Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe që zgjedhjet në komunat veriore me shumicë serbe të mbahen sa më shpejt.

Kancelari gjerman Olaf Scholz shpreson që Kosova dhe Serbia do të arrijnë të jetësojnë Marrëveshjen e Ohrit. Në kuadër të një konference shtypi me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Dimitar Kovaçevski, kancelari iu përgjigj pyetjes së Deutsche Welle-s se a janë sanksionet rruga e duhur për t’i detyruar palët drejt çtensionimit të situatës:

“Ekziston një marrëveshje e propozuar dhe negociuar nga dy vendet që pasqyron një kontratë që do të rregullojë bazat e marrëdhënieve dhe që tani duhet të vihet në jetë. Kjo përfshin një seri të tërë marrëveshjesh dhe ato tani duhet të zbatohen.

Nga këndvështrimi ynë, është e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në çtensionim, që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet në komunat serbe në Kosovë, që të ketë një pjesëmarrje të lartë dhe që të zgjedhurit të mos jenë vetëm të zgjedhur formalisht, por që aty të jenë aktivë bashkiake dhe bashkiakë legjitimë, që të zbatohet pjesa e marrëveshjes mbi Asociacionin e Komunave Serbe.

Kjo duhet bërë tani. Ne po bëjmë përpjekje që këtë ta kuptojnë të gjithë. Kjo vlen për Bashkimin Evropian dhe të ngarkuarin e Komisionit. Kjo vlen për Francën, Gjermaninë, Italinë dhe SHBA-të, të cilat janë të përfshira shumë intensivisht në këtë proces. Prandaj edhe unë mbetem me shpresë se të gjithë do të kemi së bashku sukses dhe se të gjithë pjesëmarrësit në terren do të japin kontributin e tyre për fqinjësi të mirë mes të dy vendeve”.

Të enjten dhe të premten, në Bruksel zhvillohet takimi i radhës i Këshillit të Bashkimit Evropian, ku ndër të tjera do të diskutohet edhe situata e tensionuar në veri të Kosovës. Siç u ra dakord në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, në fillim të javës, në Luksemburg, BE do të marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë në se nuk shënojnë përparim në shtensionimin e situatës. Masat parashikohen të jenë politike e financiare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci ka reaguar pasi Policia e…