Scholz në samitin e Berlinit: Duhet dinamikë e re në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.
Scholz i ka bërë këto komente në hapje të samitit të Procesit të Berlinit, ku janë duke marrë pjesë përfaqësues të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve partnere.
“Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Scholz gjatë fjalës hyrëse.
“Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, ka thënë ai.
I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, Procesi i Berlinit shënon sivjet dhjetë vjet.
Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së.
Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.
Duke folur për rëndësinë e Procesit të Berlinit, Scholz ka thënë se ai “është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Bashkimi Evropian është i kompletuar me Ballkanin Perëndimor si pjesë të tijën”, ka thënë ai.
Scholz, po ashtu, ka paralajmëruar nënshkrimin e dy dokumenteve të reja në samitin e sotëm, që, siç tha, do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë.
I pari, sipas tij, ka të bëjë me një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa i dyti me një marrëveshje të re për lëvizjen, që përfshin edhe qasjen në arsimin e lartë.
“Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë më shumë drejt BE-së”, ka shkruar në “Facebook”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është i pranishëm në samit.
Përgjatë viteve, në Procesin e Berlinit janë bërë disa marrëveshje dhe deklarata, por shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.