Scholzi: BE-ja të përcaktojë shpejtësinë e integrimit të Ballkanit dhe tri vendeve të tjera
Kancelari gjerman, Olaf Scholz është deklaruar duke arritur në samitin e BE-së në Bruksel, se Bashkimi Evropian duhet të përcaktojë shpejtësinë me të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia do t’i afrohen BE-së.
Sipas Scholzit, integrimi i këtyre vendeve në BE duhet të jetë i suksesshëm, por kjo nënkupton sipas tij, që këto vende të përmbushin kritere si shteti i së drejtës, kushtet demokratike dhe ekonomike.
“Kjo vlen për të gjitha vendet dhe të gjitha vendet po bëjnë përpjekje. Por ne nuk duhet të lejojmë që historia të përsëritet”, ka thënë ai, duke shtuar se 20 vjet më parë në Selanik, BE-ja u ka bërë një premtim vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se “të gjithë menduan se këto vende do të anëtarësoheshin për një periudhë prej dy deri në tetë vjet, por 20 vjet më vonë kjo nuk ndodhi”.
“Tani duhet të jemi shumë të qartë për shpejtësinë e integrimit dhe ne vetë duhet të sqarojmë vendimet tona personale”, ka thënë Scholzi.