Scholzi dhe Macroni i kanë kontaktuar Kurtin e Vuçiqin para takimit
Duke u thirrur në burime diplomatike në Bruksel, “Radio Evropa e Lirë” ka raportuar se kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, i kanë kontaktuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, para takimit.
Sipas këtyre burimeve, ata i kanë kontaktuar për t’i inkurajuar në arritjen e një marrëveshjeje dhe evitimin e përshkallëzimit të situatës.
“Shumë liderë ndërkombëtarë kanë shprehur pritjet e tyre nga takimet e këtyre dy liderëve. Këtë e kanë kuptuar edhe vetë liderët. Edhe pse nuk patëm marrëveshje për rrugën finale sesi të adresohet çështja, procesi po vazhdon”, citohet të kenë thënë burimet brenda BE-së.
Qeveria e Kosovës ka dalë me komunikatë për takimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas qeverisë, në takim është diskutuar edhe për marrëveshjen finale. “Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, është thënë t në komunikatë.
Ndryshe, pas takimit, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe gjatë rundit të ri të dialogut të mbajtur më 18 gusht në Bruksel.
Por, ai ka thënë se palët janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vazhdim.“Nuk kemi një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi.