Scholzi në Kiev: Kjo luftë duhet të përfundojë

16 qershor 2022 | 16:39

Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë janë takuar në Kiev presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për t’i shprehur solidaritetin e Evropës me vendin e tij, të pushtuar nga Rusia.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri italian, Mario Draghi, dhe presidenti rumun, Klaus Iohannis, kanë shtrënguar duart me Zelenskyn, përpara se të fillonin bisedimet.

Më herët, Ukraina ka kritikuar Francën, Gjermaninë dhe, deri në një masë Italinë, për, siç ka thënë, hezitime në mbështetjen e tyre për Kievin dhe ka thënë se ato janë të ngadalshme në dërgimin e armëve.

Katër udhëheqësit, të cilët udhëtuan në Kiev me tren, kaluan më herët nëpër rrënojat e periferisë së kryeqytetit, Irpin.

Scholzi ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter” se Irpini, ashtu sikurse Buça – ku trupat ruse janë akuzuar për krime lufte  është bërë simbol i “mizorisë” së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Irpini, ashtu si Buça, është bërë simbol i mizorisë së paimagjinueshme të luftës ruse, i dhunës së pakuptimtë. Shkatërrimi brutal i këtij qyteti është një paralajmërim: kjo luftë duhet të përfundojë”, ka shkruar Scholzi.

Draghi, duke qëndruar në mesin e rrënojave, ka thënë se ushtria ruse “ka shkatërruar kopshte, ka shkatërruar kënde të lojërave”. “Gjithçka do të rindërtohet”, ka premtuar ai.

Duke reaguar ndaj vizitës së liderëve të BE-së, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka paralajmëruar ata kundër furnizimeve të reja të Ukrainës me armë.

“Unë do të doja të shpresoja se udhëheqësit e këtyre tri shteteve dhe presidenti i Rumanisë nuk do të fokusohen vetëm në mbështetjen e Ukrainës, duke e pompuar atë edhe më shumë me armë”, u ka thënë Peskov gazetarëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tërheqja është ende shumë larg, por deri më sot Karim…