Scholzi refuzon thirrjet për një armëpushim më të gjatë
Kancelari tha se kërkesa për një armëpushim të menjëhershëm ose për një ndërprerje më të gjatë të luftimeve nuk i duket e drejtë, “sepse kjo në fund të fundit do të thotë që Izraeli duhet ta lejojë Hamasin të rimëkëmbet, të blejë raketa të reja për t’i përdorur përsëri ato,” tha Scholz. “Prandaj ne nuk do të mund ta pranojmë këtë.”
Scholz: Izraeli ka të drejtë të mbrohet
Kërkesa e shteteve islamike nuk është ajo e qeverisë federale, e cila qëndron në anën e Izraelit. Izraeli ka të drejtë të mbrohet, tha kancelari Scholz. Ai tha se mendon se Izraeli e respekton të drejtën ndërkombëtare. Nga ana tjetër ai tha se në të njëjtën kohë, qeveria izraelite duhet të sigurojë që të mos ketë sulme nga kolonët hebrenj kundër popullsisë palestineze në Bregun Perëndimor. Kancelari gjerman u shpreh edhe një herë për perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete.
Pesë javë pas sulmit brutal të Hamasit ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Rripin e Gazës, po shtohen gjithnjë e më shumë thirrjet për armëpushim. Lidhja Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) bënë thirrje për t’i dhënë fund “agresionit brutal” të Izraelit në Rripin e Gazës gjatë një samiti të fundit në Arabinë Saudite. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u bëri thirrje të dielën (12.11) Shteteve të Bashkuara që të detyrojnë Izraelin të ndalojë ofensivën e tij në Rripin e Gazës. “Është jetike që ne të arrijmë një armëpushim”, tha Erdogani.