Schumacheri do të vazhdojë rehabilitimin në Spanjë
Michael Schumacher do të lërë Zvicrën dhe do të transferohet në një vilë luksoze në Majorka të Spanjës, ku do ta vazhdojë rehabilitimin pas aksidentit me ski që ka pësuar gati pesë vjet më parë.
Corinne, bashkëshortja e shtatë herë kampionit të botës, ka blerë së fundi një vilë (Villa Yasmin) me vlerën e 30 milionë eurove në zonën e Andratx, 20 minuta nga Palma de Majorka. Lajmin e transferimit e ka konfirmuar edhe kryetari i Bashkisë së Majorkës: “Mund të konfirmoj se Michael Schumacher do të qëndrojë në qytetin tonë dhe ne jemi gati për ta mirëpritur”.
Mediet zvicerane pohojnë se policia në Majorka është informuar për ardhjen e pilotit gjerman dhe ka gati një plan për ta ruajtur privatësinë e ikonës së garave të Formula 1, ende në periudhë rehabilitimi, për të cilin ende nuk ka informacion për gjendjen shëndetësore.
Ndërkohë që, familja e Schumacherit nuk e ka komentuar këtë transferim në Spanjë. Në këtë qytet, çifti ka kaluar shpesh pushimet, ndaj është një zonë që ata e njohin mirë. Michael Schumacheri është aksidentuar më 29 dhjetor të 2013-s, teksa bënte ski dhe më 3 janar të vitit të ardhshëm do të festojë 50-vjetorin e lindjes.