Schumacheri i papërmbajtshëm, tjetër fitore që e projekton drejt F1
Djali i shtatë herë kampionit të botës në Formula 1, Michael Schumacher, Mick Schumacher ka triumfuar të dielën në pistën austriake të Spielberg, suksesi i dytë brenda 24 orësh, duke konsoliduar pozitat në krye të renditjes së Botërorit të Formula 3.
Më makinën Prema, piloti i ri gjerman fitoi edhe garën e dytë që u zhvillua në këtë pistë, duke e çuar në 43 pikë avantazhin me rivalin më të afërt, Daniel Ticktum. Në garën e zhvilluar ditën e shtunë, Mick fitoi në një pistë të lagur për shkak të shiut, ndërsa të dielën ka konfirmuar momentin e mirë që po kalon në kampionatin Euro-Formula 3, raporton “Telesport”.
Edhe kur në pistë hyri makina e sigurisë, Mick ruajti qetësinë dhe mbrojti kreun nga sulmet e shokëve të tij të skuadrës, Armstrong e Shwartzman, që u ngjitën në podium. Mick Schumacher ka shansin që të korrë edhe fitoren e tretë në këtë pistë, në garën e tretë që do të zhvillohet të dielën në mbrëmje.