Schumacheri: U argëtova me Ferrarin, kjo është shtëpia ime
E gjithë vëmendja sot ishte tek ai dhe Mick Schumacher nuk zhgënjeu. Piloti 20-vjeçar gjerman bëri sot debutimin e tij me “kokëkuqen”, ashtu si dikur, kur pilotonte babai i tij, legjenda Michael Schumacher. Në ditën e parë të testeve të zhvilluara në Bahrein, piloti gjerman që garon në Formula 2 ka testuar makinën Ferrari, duke u renditur i dyti pas testeve të zhvilluara gjatë pasdites.
Mick Schumacher, pjesë e Akademisë Ferrari, u klasifikua i dyti, pas Max Verstappen me Red Bull. “U argëtova shumë. Në garazh u ndjeva njësoj si në shtëpinë time. Që nga momenti i parë u rrethova nga shumë njerëz, të cilët më njihnin që kur isha fëmijë”, ka thënë Schumacher.
“Makina Ferrari ishte shumë e fuqishme. E jashtëzakonshme dhe shumë e thjeshtë për t’u pilotuar. Ajo që më mahniti më shumë ishin frenat, shumë të fuqishme. Më dukej sikur frenoja shumë vonë, pasi e dija që makina do ta merrte vetë kthesën. E falënderoj Ferrarin për këtë mundësi që më dha dhe mezi pres të provoj nesër makinën Alfa Romeo”, ka shtuar Schumacher.